Paolo Tramexani, dikur krahu i djathtë i Xhani de Biazit në stolin e Kombëtares shqiptare, sot drejton Sionin në Superligën zvicerane. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai thotë se ndihet mirë aty, por nuk e fsheh dëshirën për të drejtuar Shqipërinë në të ardhmen. Në skuadër ka edhe Mario Balotelin, për të cilin tregon se është i jashtëzakonshëm dhe nuk e ka aspak të vështirë ta menaxhojë.
“Një ditë unë shpresoj që të rikthehem në Shqipëri. Këtë ide e kam të ngulitur në kokë që nga dita që u largova nga ai vend. Më pëlqen ideja që një ditë unë të rikthehem dhe të jap kontributin tim dhe të bëj më të mirën. Por, ama sot e ardhmja ime është te Sioni, edhe pse një ditë uroj që të ndodhë rikthimi im në Shqipëri. Do të më lumturonte shumë dhe do të ndihesha krenar që të drejtoja Shqipërinë një ditë para se unë të përfundoj karrierën”, thotë Paolo Tramexani.