Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë do të nënshkruajnë nesër marrëveshjen e daljes bashkë në zgjedhjet e 14 Majit. Burime të News 24, bëjnë të ditur se gjatë ditës së nesërme do të përcaktohet edhe data e protestës së ardhshme kombëtare.
Gjatë mëngjesit të sotëm, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ai i Partisë Demokratike, Sali Berisha qëndruan për më shumë se 30 minuta në zyrën e këtij të fundit për të diskutuar lidhur me daljen me një kandidat në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Kreu i PL-së, Meta tha në një komunikim me gazetarët në përfundim të takimit se marrëveshja me Berishën është mbyllur. Ai tha se në ato zona ku PL-ja vlerëson se do të ketë kandidatë potencialë, do ti fusë në primaret që po organizon Partia Demokratike.
“Jemi në sintoni të plotë. Kryetari i ardhshëm i bashkisë dhe kryetari i ardhshëm i këshillit bashkiak do të bëjnë një spektakël të jashtëzakonshëm në pak muaj. Partia e Lirisë respekton primaret, është një risi e jashtëzakonshme. Kemi kërkuar që sa më shpejt të realizohet ky proces. Kudo ku kemi kandidatë që premtojnë, do ti përfshijmë në primaret e përbashkëta të opozitës. Është e rëndësishme që kandidatët të respektojnë njeri tjetrin, cilido që shfrytëzon primaret për të dëmtuar kandidatët e tjerë do përjashtohet nga gara”, tha Meta.