Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi mori pjesë në Ministerialin e Mbrojtjes në kuadër të iniciativës “ADRION”, që u zhvillua në Venecia, Itali.
Ministrat e mbrojtjes vlerësuan rëndësinë e Iniciativës “ADRION”, si një shembull i suksesshëm i bashkëpunimit rajonal, bazuar në gjithpërfshirjen, vlerat e përbashkëta si dhe orientimin e interesave të përbashkëta për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në zonën adriatiko-joniane.
Vëmendje e veçantë iu kushtua rëndësisë së ndërveprimit dhe bashkëpunimit ndërmjet Forcave Detare të kësaj iniciative, me qëllim rritjen e sigurisë detare, asistencës humanitare, shpëtim-kërkimit, ndërtimit të kapaciteteve si dhe mbështetjen e operacioneve të NATO-s dhe BE-së në zonën e ADRION-it.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Peleshi u shpreh se Ministria e Mbrojtjes dhe Forca Detare e vendit tonë, është gjithmonë me e angazhuar në forcimin e bashkëpunimit në rajon me qëllim përballimin e sfidave aktuale dhe në të ardhmen, promovimin e stabilitetit rajonal, sigurisë dhe paqes.
“Shqipëria do të angazhohet fuqishëm për të ofruar një mjedis të sigurt dhe për stabilitet më të gjerë në Ballkanin Perëndimor dhe hapësirat e përbashkëta detare. Iniciativa ADRION është një nga mekanizmat që po kontribuon në këtë objektiv. Pellgu Adriatiko-Jon është një mjedis gjithnjë e më i aksesueshëm për të gjitha llojet e aktiviteteve malinje dhe është një nga pikat më të ndjeshme të tranzitit dhe infiltrimit në zemër të Evropës.
Prandaj, bashkëpunimi ynë rajonal duhet të jetë në nivelin më të lartë, për t’i ofruar siguri dhe stabilitet popullit tonë. Shqipëria dhe Forcat e saj Detare janë gjithmonë të përkushtuara për të çuar më tej bashkëpunimin në rajon. Ne të gjithë duhet të vazhdojmë të luajmë një rol aktiv duke adresuar sfidat e sigurisë, si dhe çështjet e prosperitetit ekonomik dhe stabilitetit politik. Kjo mund të bëhet vetëm duke punuar së bashku”, theksoi ministri Peleshi.
Në Venecia, po në kuadër të nismës “ADRION”, po mbahet edhe “Simpoziumi Rajonal i Fuqive Detare”, në të cilin marrin pjesë Komandantët e Forcave Detare të vendeve anëtare të kësaj iniciative.
“ADRION” është një iniciativë, e cila ka si qëllim bashkëpunimin ndërmjet Forcave Detare të Shqipërisë, Kroacisë, Greqisë, Italisë, Malit të Zi dhe Sllovenisë.