Në agjendën mbështetëse të ambasadores amerikane Yuri Kim përpos prokurorëve të SPAK, janë shtuar edhe gjyqtarët antikorrupsion, të cilët vendosin mbi hetimet e prokurorisë se Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. E ndërsa zyrat janë të ndryshme, qëllimi i takimeve është i njëjtë. Për tu kujtuar njerëzve të drejtësisë se ‘ligji i barabartë për të gjithë’, do të thotë, askush nuk është mbi ligjin. Një postulat i jurisprudencës ky, që me gjuhën e diplomacisë amerikane është përsëritur mbas dënimit të çdo zyrtari të lartë.

Po për kë bien këmbanat? Nisur nga mesazhet e vazhdueshme ku theksohet mbështetja e ndërkombëtarëve për të hetuar e gjykuar të pandëshkuarit, e qartë është se amerikanët ashtu si publiku shqiptar presin si rezultat hetimin e të korruptuarëve. Duke përmendur se reforma gjendet në një faze kritike, ambasadorja amerikane ju bëri thirrje gjyqtarëve që të kryejnë punën me integritet pavarësisht nga kërcënimet dhe nxitjet e atyre që kërkojnë të ruajnë mos ndëshkueshmerinë ose privilegjin e tyre të paligjshëm.

“Kërcënimet dhe nxitje të tilla janë në vetvete të paligjshme dhe duhet të hetohen dhe te ndiqen penalisht” u ka deklaruar gjyqtarëve Yuri Kim. Në fakt që amerikanët kanë dijeni mbi përpjekjet për të joshur dhe frikësuar gjyqtarët që ata të mos ndeshkojnë të fuqishmit, kjo u njoftua në twiterin e ambasadores pak ditë më parë.
Megjithatë mbetet e paqartë se kush është gjyqtari apo prokurori që mund të jetë kërcënuar apo shantazhuar. Cilido qoftë ai , prokuror apo gjyqtar, e kuptueshme është se ai ka në dorë një dosje të madhe.