Gjykata e Lartë ka zbardhur arsyet e refuzimit të kërkesës së ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për të pezulluar dënimin me 2 vite burg.
Ish-prokurori i Përgjithshëm kërkoi të shtynte në kohë vajtjen në qeli, ndërkohë që dënimi ndaj tij në Apel për “fshehje e mosdeklarimit të pasurisë” qe e çonte në qeli, u shpall pak ditë pasi ai ishte larguar nga vendi. Në vendimin e arsyetuar, të siguruar nga A2CNN, Kolegji Penal e vlerëson të pabazuar pretendimin e ish-kryeprokurorit, se i rrezikohet jeta në qeli për shkak të problemeve shëndetësore.
“Kjo sëmundje mund të kurohet dhe të ndiqet nga mjekë specialistë edhe në kushtet e qëndrimit në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale, pa rrezikuar jetën e kërkuesit. Fakti që kërkuesi vuan nga kjo sëmundje që prej vitit 2009, siç parashtrohet në vlerësimin mjeko-ligjor, dëshmon që kjo sëmundje mund të kurohet dhe mbahet nën kontroll nga subjekti edhe ndërkohë që ai vuan dënimin e caktuar ndaj tij”.
Edhe pretendimi i Llallës se është baba i tre fëmijëve, një prej të cilëve i mitur, nuk është parë si rrethanë ndihmuese nga Kolegji Penal, që shkon me tej, duke e cilësuar shoqërisht të rrezikshëm ish-kryerprokurorin.
“Kolegji vlerëson se referuar situatës procedurale të kërkuesit, faktit që ai nuk ka përmbushur detyrimin për ekzekutimin vullnetar të vendimit penal, por është larguar duke e bërë të pamundur ekzekutimin e dënimit, deri sa është arrestuar nga autoritetet italiane të drejtësisë, dëshmojnë jo vetëm rrezikshmërinë shoqërore të kërkuesit, por edhe mundësinë e përsëritjes së kësaj sjelljeje në të ardhmen”.