Nga Artur Ajazi
Protesta më e fundit e Partisë Demokratike në Elbasan, tregoi qartazi se, ajo nuk ka më energji të mbledhë njerëz, nuk ka më arsye dhe shkaqe tu drejtohet mbështetësve të saj për tu ngritur në protesta, greva dhe demonstrada. Kjo në fakt ka arsyet e veta. Partia Demokratike, nuk shihet sot edhe nga demokratët e saj, si forcë kryesore qeverisëse. Partia Demokratike nuk shihet sot nga mbështetësit e saj si forca bindëse e cila mund të fitojë zgjedhjet apo dhe të qeverisë nesër vendin.
Partia Demokratike, nuk ka sot besimin e anëtarësisë saj, për të ardhur në greva, protesta apo demonstrada, për faktin sepse nuk binden se lidershipi i asaj force politike e ka seriozisht misionin e nisur. Partia Demokratike, nuk arrin dot të motivojë njerëzit e saj për të mbushur sheshet, pasi drejtohet sot nga njeriu, që edhe pse beson se ka “mbështetje nga baza”, nuk ka besimin e shumicës së asaj partie. Partia Demokratike, nuk arrin tu mbushë mëndjen as të vetëve, dhe as të tjerëve, se është “partia e vetme që mund të luftojë korrupsionin, krimin, trafiqet dhe fukarallëkun”, pasi klani i saj drejtues i “Rithemelimit” është mbushur me milionerët e pushtetit të saj.
Partia Demokratike, nuk arrin dot sot të bindë anëtarësinë e saj, se “rruga e vetme e ardhjes në pushtet është protesta”, pasi nuk ka aspak mbështetjen e duhur si brënda dhe jashtë vendit, aq më tepër të SHBA dhe BE. Këto dhe shumë arsye të tjera të bëjnë të mendosh dhe besosh se, kjo PD, edhe sikur të dalë e bashkuar nesër me grupimin Bardhi-Alibeaj, nuk fiton më pushtet. Klanet dhe kasta e atyre që janë sot në drejtimin e asaj partie, janë të provuar dhe sprovuar në 32 vite tranzicion, dhe dihet se kush janë.