Tirana ka një stacion të ri zjarrfikës në Kinostudio. Investimi i Bashkisë së Tiranës për sigurinë e qytetit, sjell kushte më të mira për punonjësit, por edhe një godinë moderne, që i përshtatet standardeve më të mira të shërbimit zjarrfikës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në përurimin e stacionit të ri, të cilin e veçoi si më të madhin dhe më të bukurin në Shqipëri. Ai tha se është i lumtur edhe nga lajmi i mirë i Kryeministrit Rama për rritjen e pagës për zjarrfikësit.

Nga ana tjetër, zgjodhi disa fjalë për të komentuar edhe protestën e pedagogëve.

“Imagjinoni sikur, një ditë, zjarrfikësit të thonë: Do të bëhemi edhe ne kapriçozë, do politizohemi edhe ne, do fusim edhe partitë në uniformën tonë, ndaj për ideal të partisë sot nuk do të shuaj zjarre, nuk do të hap një derë ashensori të bllokuar, ku mund të ketë ngelur një i moshuar, etj. Kjo do të ishte një katastrofë! Për ata pedagogë që janë në grevë sot dhe po i lënë studentët rrugëve, dua të them se pasi ngelën një vit pa mësim për shkak të pandemisë, një vit për shkak të tërmetit dhe dëmtimit të shumë institucioneve arsimore, ky vit i tretë është i tepërt. Një pedagog e ka mundësinë që, pasi mbaron tre-katër orë mësim në shtet, të bëjë edhe tre-katër orë të tjera në privat. Mund të bëjë edhe një konsulencë me paratë e BE-së ose të punojë me një biznes privat. Kurse një zjarrfikës, i cili është 24 orë këtu, nuk e ka këtë mundësi. Jeton vetëm me rrogën e zjarrfikësit. Nuk e ka mundësinë që, pasi të shuajë zjarret, të shkojë të shuajë zjarre edhe te privati”, tha Veliaj.