“Qëllimi në fillim të sezonit ishte që të arrijmë deri në 13 nëntor sa më lart në renditjen e Serie A dhe me kualifikimin në 1/8 finale të Champions League. Për të fituar kampionatin duhet ta mbyllim me mbi, ose rreth 85 pikë, duhet të vazhdojmë serinë pozitive”. Stefano Pioli përgatitet për ndeshjen kundër Torinos dhe e sheh skuadrën e tij në përputhje me pritshmëritë:
“Jemi mirë, na presin pesë ndeshje të ngjeshura para pushimit. Është gjithmonë shumë emocionuese të përballesh me skuadrat e Juric, ne jemi përgatitur siç duhet. Është një lojë që paraqet shumë vështirësi. Me Toron kemi luajtur jo shumë kohë më parë dhe nuk kemi mundur ta kapërcejmë. Personaliteti dhe cilësia do të na nevojiten patjetër. Verona dhe Monza, megjithatë, i ngjajnë kundërshtarit tonë të nesërm. Duhet vazhdimësi, sepse Napoli po bën shumë mirë. Ka ekuilibër në krye mes kaq shumë skuadrave”.
Për lojtarët që po rikuperohen nga dëmtimet: “Dest dhe Diaz janë të rikuperuar dhe të gatshëm për t’u thirrur. Nuk do të ishte problem që Brahim të luante në dy ndeshje të ngjeshura si ato me Torinon dhe Salzburgun. Do të hedh në fushë formacionin më të mirë të mundshëm për kushtet aktuale. Nga tani deri më 13 nëntor asnjë lojtar nuk do t’i ketë luajtur të gjitha ndeshjet tërësisht.
Djemtë po më japin disponueshmërinë totale, përballemi me çdo ndeshje sikur të ishte më e rëndësishmja. Vetëm në këtë mënyrë mund ta ngresh nivelin. Konkurrenca e brendshme shërben për të mbajtur performancën e lartë, lojtarët e dinë se vetëm kështu mund të më bindin t’i aktivizoj. Situata e Maignan? Të hënën do të bëjë një kontroll tjetër dhe më pas do të vlerësojmë se si dhe ku do të vazhdojë të trajtohet”.
De Ketelaere nuk po kalon një moment të madh: “Jashtë Milanellos ka padurim, por jo këtu. Do të vijnë situata më të mira, ne vlerësojmë me qetësi rrugën e një djali që gjithmonë ofron disponueshmëri dhe inteligjencë”. Është e vështirë të bësh krahasime me elementë të tjerë të skuadrës, si Tonali dhe Leao, të cilët janë rritur maksimalisht: “Charles ka cilësi, por talenti herët a vonë lulëzon, nëse punon me këtë pasion. Ka nga ata që kanë marrë 6 muaj, të tjerë një vit, por në fund vijnë rezultatet. Unë dhe stafi im kemi prioritet të përmirësojmë cilësitë teknike dhe njerëzore të lojtarëve që klubi na vë në dispozicion. Kemi ‘material’ të nivelit të lartë”.
Pioli nuk iu shmanget pyetjeve për rinovimin e kontratës me Milanin: “Si në dasma, na mbetet vetëm të rinovojmë premtimet… Kemi ende shumë angazhime për të përballuar bashkë”. Një shaka edhe për ish-Pellegrin: “Ai pati një sezon problematik me ne, kishte konkurrencë shumë të fortë nga Ibrahimovic dhe Giroud. I uroj të bëjë mirë, por… nga ndeshja tjetër”.
Së fundi, një urim për një shërim të mirë për Pablo Mari, i cili u godit me thikë në Assago nga një i çmendur: “Të gjithë jemi në duart e fatit, fola me Gallianin që më tregoi se si shkuan gjërat. Jam i lumtur të di që ai do të shërohet”.