Në 2020, pak muaj pas ngritjes së SPAK, 70 për qind e shqiptarëve kishin besim se struktura e re dhe themeli i gjithë reformës në drejtësi do të funksiononte.
Një vit më vonë, megjithëse shumica e qytetarëve ende besonin SPAK-un, shifra ra në 38 për qind. Por, në harkun kohor të 12 muajve shifra është përmbysur. Sot, shumica e qytetarëve shqiptarë nuk kanë besim të Prokuroria e Posaçme.
Sipas sondazhit të Euroneës Albania 42 për qind e shqiptarëve nuk besojnë as që SPAK po bën një punë të mirë, as që është i pakapur politikisht.
Çfarë ndodhi në këtë periudhë? Rënia më e madhe e besimit te SPAK lidhet me dosjet e bujshme që flenë në sirtarët e Arben Krajës dhe të prokurorëve të posaçëm. Pesë prej tyre janë kundër Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Paditë e dorëzuara në seri ndaj ish-Presidentit dhe ish-kryetares së LSI-së nuk e kanë nxitur SPAK-un që të veprojë.
Kreu i SPAK, Arben Kraja ka shpërndarë tek-tuk ndonjë deklaratë si për të krijuar përshtypjen se vijojnë hetimet. Deklaratat, siç tregon sondazhi nuk kanë bindur qytetarët, që janë njohur nga denoncimet mediatike mbi akuzat për korrupsion, fshehje e mosdeklarim të të ardhurave nga çifti Meta-Kryemadhi.
Meta akuzohet në dy kallëzime të ish-deputetit Halit Valteri për lobim në SHBA me para korrupsioni, të cilat nuk i ka deklaruar në Shqipëri. Bëhet fjalë për shifra që shkojnë deri në 1 milionë euro. Monika Kryemadhi dyshohet se ka fshehur pagesat e kryera në një klinikë estetike në San Marino në vlerë po 1 milionë euro.
Për të gjitha këto denoncime SPAK ka mbetur në vend, me përjashtim të një njoftimi të shpërndarë në muajin gusht ku kërkonte nga gjendja civile inicialet e Ilir Metës, nëse e kishte Meta, apo Metaj. Rezultoi që në fund ishte mbiemri i dytë. Ish-Presidenti ka përdorur mbiemrin Meta gjatë tre dekadave në politikë pa e ndryshuar përmes një akti të njohur ligjërisht.
I takon SPAK të përcaktojë nëse përgjatë të gjithë urdhërave e vendimeve që Ilir Metaj ka marrë si Kryeministër, ministër, deputet, kryetar Kuvendi e President kanë elementë të akuzës së ‘përvetësimit të funksioneve shtetërore, apo të fasifikimit të dokumentave’.
Gjithsesi, Meta-Kryemadhi janë dosjet më të bujshme që flenë, por jo të vetmet. Dosje të tjera me të cilat SPAK po ecën me shpejtësinë e breshkës janë koncesionet në shëndetësi. Janë katër prej tyre për të cilat është ngritur padi në Prokurorinë e Posaçme, me disa para se SPAK të themelohej. Koncesioni i laboratorëve dhe ai i sterlizimit janë ata për të cilët janë ngritur akuza për korrupsion.(Voxnews.al)