Nga Mero Baze/

Pafuqia e Sali Berishës për të prodhuar një koalicion parazgjedhor, ka vetëm një mekanizëm për t’u justifikuar. Janë ato që ai i quan zgjedhje “primare” brenda “Foltores”.

Në të vërtetë, ato janë gjëja që atij i intereson më pak, dhe për të qenë i qetë ka shpikur mekanizmin e prishjes së trupës votuese, për të votuar çdokush që kalon rrugës. D.m.th. thjesht nuk i intereson si proces votimi, por si proces për të justifikuar dështimin e koalicionit parazgjedhor.

Së pari, ai nuk bie dot dakord me Ilir Meta/Metaj për formulën e koalicionit. Ilir Meta/Metaj ka pretendimet e veta për mbi 30 për qind të bashkive, dhe ai mund t’ia ofrojë, pasi të humbura i ka, por frika e tij është se kjo do ta rrënojë dhe në votën proporcionale.

Zotimi publik i Meta/Metaj se është gati të mbështesë çdo kandidaturë të Berishës, “mjafton të jenë më të mira se të tijat”, është më shumë kërcënim, se premtim. E vetmja formulë e bashkëpunimit pa kushte ishte ajo e 6 marsit, kur Meta/Metaj u bë kamikaz për të, por tani ajo nuk përsëritet më. Dhe për ta shtyrë krizën e aleancës me të, ai ka si argument përfundimin e “primareve” në “Foltore”, pastaj bisedat për aleancë.

Së dyti, ai nuk bie dot dakord dhe me partitë e vogla partnere të ish- PD, si Duka, Shehi, Dule, Ndoka e Idrizi, jo se ata i kërkojnë bashki, por se vet ata nuk janë të sigurtë a ja vlen të bashkohen me Berishën apo Bashën, meqë është e sigurtë se ata të dy do jenë ndarazi. Edhe për të hequr qafe bezdinë e tyre, ai nxjerr përpara “primaret” në PD, dhe pastaj bisedat për koalicion.

Së treti, ai nuk bie dakord dot as brenda “Foltores” për koalicion, përderisa vet “Foltoren” e ushqen me gënjeshtrat e “primareve”. Një garë për “primare” në “Foltore”, do të thotë që të dalin 61 kandidatë për kryetar bashkie në emër të “Foltores” dhe pas kësaj nuk ka vend më për koalicion.

Po të llogarisësh që gjyqi për legjitimitetin e PD është në fillim të nëntorit, deri atëherë ai do të bëjë gjithçka që të mos kuptohet se çka ndërmend të bëjë me koalicionin. Pastaj nëse e humbet PD, do t’i rikthehet “Shtëpisë së Lirisë”, duke u dorëzuar para Ilir Meta/Metaj dhe nëse e fiton siglën, do të vazhdojë t’i mbajë larg me idenë e “primareve”.

Ky është i vetmi mekanizëm që i jep atij alibinë e dështimit të koalicionit, i cili në fakt ka dështuar dhe Berisha nuk e bën dot. Mos të flasim këtu me hendekun e thelluar me Partinë Demokratike, e cila nuk ka asnjë shans të gjunjëzohet tani para tij, ndërkohë që ai ka një vit që po i linçon me gjithë mjetet e tij.

Nëse Berisha do të donte të bënte koalicion paraprak, ai duhet t’i përdorte primaret për ta forcuar koalicionin dhe jo për të justifikuar mos bërjen e tij. Ai duhet të formonte një herë koalicionin, dhe pastaj koalicioni të ofronte kandidatë për t’u zgjedhur nga primaret. Por kjo është e rrezikshme, pasi do të kërkonte zgjedhje të rregullta dhe anëtarësi të certifikuar.

Natyrisht që Meta/Metaj nuk të lë t’i vjedhësh vota, sikur po bën zgjedhje në Forumin Rinor të PD, dhe as të lë të hapësh dyert për njerëzit që kalojnë rrugës të votojnë. Për atë ai është më i aftë se Berisha dhe nuk është çudi që t’i fitojë më shumë se gjysmën e “primareve”, duke e shkatërruar ende pa hyrë në zgjedhje.

Ndaj ai nuk po ja del dot as të krijojë një koalicion, as të krijojë një imazh demokracie me primaret në Foltore. Ai thjesht po pret të përdorë “primaret” për të tërhequr sa më shumë delirantë në oborrin e Foltores”, që të mos i duket i zbrazët, siç është përditë. Por një njeri që ka ndarë PD në dy pjesë, nuk mund të bashkojë copat e PD të ndara në dhjetë pjesë.