Nga Mero Baze/

Përpjekja e Berishës për të certifikuar dominimin e tij në opozitë përmes atyre që ai i quan “primare”, është e vetmja gjë që po ndodh në opozitë. I shqetësuar që nuk pranohet ende nga Grupi parlamentar i PD dhe faktori ndërkombëtar, Berisha po përpiqet të organizojë një shou të ri, për t’u treguar atyre se ka shumicën brenda opozitës. Dhe për këtë po përdor “primaret” brenda PD, për ta certifikuar. Në kushtet kur PD është e ndarë thellë dhe ka ende një klimë të fortë armiqësie brenda tyre, primaret brenda PD, janë një luftë mes atyre që mbështesin Berishën dhe atyre që mbështesin kundërshtarët, dhe jo një luftë për kandidatët.

Është fare e qartë se kandidati i mbështetur nga Berisha do shpallet fitues i primareve edhe sikur të ishin zgjedhje të rregullta. Por në kushtet kur ai, përveç anëtarëve të PD, ka futur të votojnë dhe “simpatizantë”, atëherë nuk bëhet më fjalë fare për zgjedhje, por për një përzgjedhje të një njeriu të Berishës.

Dhe kjo Sali Berishës i duhet thjesht t’ua tregojë amerikanëve, britanikëve dhe perëndimorëve të tjerë që nuk e duan, se është më i forti në opozitë. Për asgjë tjetër nuk vlen. Gara do ta ndajë dhe më shumë PD, do ta armiqësojë dhe më tepër klimën mes palëve dhe do ta bëjë atë një koalicion jo funksional deri në zgjedhje, ku secili do përpiqet t’i hedhë fajin tjetrit për përçarjen.

“Primaret” më reale u bënë më 6 mars dhe ne e pamë që Berisha dominon mbi grupin tjetër. Tani në kushtet e kësaj armiqësie, kandidatet e Berishës do dominojnë mbi të tjerët, me urrejtje madje. Ndaj nuk ka pse hyhet në këtë aventurë. Problemi i PD nuk është më të certifikojë nëse ka Berisha shumicën brenda PD apo jo. Problemi i PD dhe i opozitës është të integrojë brenda saj “pakicat” që mundin opozitën dhe t’u hapë rrugë atyre.

Por Berisha do thjeshtë një mënyrë të konfirmojë shumicën e tij brenda PD, me qëllim që t’i konsiderojë ata që nuk e pranojnë, fajtorë për humbjen. Madje për këtë po ua shtyn primaret sa më tutje, me qëllim që ata të lodhen dhe dorëzohen deri atëherë. Qëllimi i tij është të mundë “armiqtë e brendshëm”, jo ata që ka përballë. Ky është i vetmi mision i “primareve”, të cilat tani nuk janë as zgjedhje, as të ndershme dhe as të drejta. Shumë herë më të mira se ato ishin “primaret” e 6 marsit dhe ato i ka fituar Berisha brenda PD. Këto janë primare për të eliminuar armiqtë e brendshëm.