“Ne përgatitemi për të mbushur rrugët dhe sheshet dhe për t’u përballur me këtë qeveri e cila kalon nga skandali në skandal, nga e keqja në të keqe”.
Kështu deklaroi kreu i PD-së Sali Berisha gjatë takimit me krerët e degëve, ku në fokus ishin zgjedhjet vendore dhe protestat. Referuar çmimit të naftës, ai theksoi se opozita duhet të bllokojë rrugë, porte, aeroporte deri në uljen e çmimit ose përgjysmimin e taksave.
Ai tha se jemi në rrezikun absolut për rikthimin e vizave. “Doli ministria e Jashtme që bëri përgënjeshtrimin dhe u ripërgënjeshtrua, sepse ky nuk mendon për qytetarët, se ato viza çfarë rëndësie jetike kanë për qytetarët.
Ky mendon për trafikantët për klanet e tij që do të ju japë pasaportën e florinjtë. Dhe për shkak të kësaj pasaporte, shqiptarët të humbasin viza. Kjo është bërë shumë e mprehtë. Ata të thonë një herë, dy herë, tre herë që kjo na dëmton. Ata kanë nisur procedurën për Maltën që e kanë vend anëtar. Po pse duhet ta tolerojnë Shqipërinë që nuk e kanë fare anëtar. Sepse ky nuk mendon për qytetarët, sepse pas tregut të bukës, para vitit 2010, tregu i dytë më i rëndësishëm ishte ai i vizave. Qindra milionë shpenzonin për viza dhe do të ua rikthejë”, tha Berisha.
“Është nafta. Opozita duhet të bllokojë rrugë, porte, aeroporte dhe ky ose do të ulë çmimin e naftës, do të përgjysmojë taksën, ose këtu nuk mund të ketë më, nuk mund të shndërrohet nafta në një kamxhik për qytetarët shqiptarë.
Pse? Sepse është e bërë nga qeveria. Asnjë qeveri në botë nuk taton naftën 1.2 euro. Kaq e shesin në Uashington naftën, duke marrë dhe taksën e akcizën. Ndaj dhe ne duhet të përpunojmë format më kreative të protestës.
Jemi në betejë me një armik të egër të votës, financave të shqiptarëve. Ky duhet të marrë përgjigje nga ne. Përkundrazi, ky është shkëputur nga ky realitet dhe u servir shqiptarëve nga mëngjesi deri në darkë çdo mashtrim dhe beson se ata e besojnë dhe i detyron të marrin gomonet. I ka shndërruar në një komb gomonesh si në 1990-91”, tha Berisha.
Ai deklaroi më tej se ne nuk mund të pajtohemi kurrë me shkatërrimin e bizneseve të vogla, siç ka ndodhur dhe do të ndodhë pas taksës 23%.