Nga Esmeralda Topi

Muaji shtator ishte paralajmëruar si muaji i vrullshëm i protestave nga ana e PD, përmes deklaratave të artikuluara nga Sali Berisha. Shtatori në fakt kaloi qetësisht dhe protesta e vetme nga kampi opozitar ishte ajo e mbajtur nga Partia e Lirisë në landfillin e Sharrës. Ndërkohë vetë PD thotë se po merret me mirorganizimin e tyre, ndërsa analisti Preç Zogaj parashikon që protestat e lajmëruara do të jenë paqësore.

“Në shtator do të fillojmë protestën për vjedhjen e tmerrshme që po u bën qytetarëve ky njeri.”- lajmëroi mbrëmjen e 11 korrikut Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në emisionin Open në News 24.

Deklarata e kryedemokratit vinte pak ditë pas protestës që opozita kishte mbajtur më 7 korrik nën moton “Shqipëria në rrezik”, e cila do të shoqëronte foltoret e demokratëve në ditët e nxehta të verës nëpër Shqipëri.

“Gjëja që nuk ka munguar kurrë në historinë e kësaj partie në opozitë kanë qënë protestat. Është një parti e cila është e identifikuar me protestat. Opozita është alternativë e pushtetit edhe duhet gjithmonë të shterojë edhe mjete të tjera për tu pëlqyer nga publiku u gjerë.”- thotë për Faktoje analisti Preç Zogaj.

Rikthimi i Ilir Metës në krye të forcës tjetër opozitare me ndryshimin e emrit të partisë nga Lëvizja Socialiste për Integrim në Partia e Lirisë, ishte një tjetër zhvillim i rëndësishëm i kampit opozitar këtë verë. Edhe Meta në daljet e tij publike i referohej shtatorit si muajit të vrullshëm të protestave opozitare.

Ndaj me ardhjen e shtatorit vëmendja e opinionit publik u përqëndrua tek aksioni opozitar që kryesohet nga dyshja, Berisha – Meta. Në nisje të sesionit të ri parlamentar, Kreu i PD-së Sali Berisha përforcoi idenë e protestave popullore, por këtë herë pa dhënë afate.

“Mendoj se qytetarët shqiptarë do të arrijnë t’i japin përgjigjen e merituar kësaj mazhorance në tërësi, parlamentit dhe qeverisë në këtë stinë e cila lajmëron më shumë se çdo gjë tjetër, protesta të fuqishme popullore.”- deklaroi për gazetarët z.Berisha më 5 shtator jashtë parlamentit.

E vërteta është që protesta e vetme e thirrur nga opozita ishte ajo e mbajtur tek inceneratori i Tiranës nga Partia e Lirisë më 13 shtator.

Ndërsa protestat masive për të cilat fliste opozita në ditët e nxehta të verës u shtynë në kohë. Më 24 shtator gjatë një bashkëbisedimi virtual me qytetarët në rrjetet sociale kryedemokrati Sali Berisha tha:

“Pyetjen tuaj e konsideroj shumë të drejtë dhe ju garantoj se do të fillojnë shumë shpejt. Mund të jenë shtyrë, por edhe shtyrja e tyre bëhet për shumë aspekte e padurueshme. Ndaj dhe protestat dhe grevat e gjithanshme do të jenë rrugë për të rikthyer në Shqipëri shpresën, votën e lirë dhe për të dalë nga ky regjim.”

Por çfarë i shtyu protestat e opozitës?

“Është diskutuar kjo çështje shumë gjatë. U bë një protestë në shtator që ishte tek inceneratori i Tiranës nga një nga partitë opozitare. Më pas ka patur diskutime, edhe në mbledhjen e kryesisë dhe të këshillit kombëtar të ditës së hënë (26 shtator) u diskutua kjo çështje. Është dakordësuar që të kemi një aksion të kombinuar me protesta, me greva, me denoncime të forta në parlament dhe me denoncime të skandaleve korruptive. Data nuk është vendosur ende, sepse arsyeja është që njerëzit nuk duan një protestë që të jetë 2-orëshe. Edhe drejtuesit e PD-së nga të gjitha të dhënat që po marrin në terren rezulton që njerëzit duan një protestë të fortë. Dhe duke patur këtë lloj kërkese, ka shumë kujdes në kalkulimin e të gjitha hapave.” – tha për Faktoje deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi.

Protestat e opozitës të kombinuara me greva pritet të nisin në tetor, ndonëse ende nuk ka një datë konkrete.

“Ajo që mendoj unë se do të ndodhë është se këto protesta do të jenë shumë paqësore. Nuk do të jenë të ngjashme me protestat sipas mendimin tim që organizoi PD pas djegies së mandateve që ishin herë pas herë në kufijtë e përdorimit të mjeteve të dhunshme. Këtë herë jo, për arsye që drejtuesit e Partisë Demokratike i kanë të qarta, siç ishte dhe 7 korriku. Ashtu do të jetë.” – parashikon për Faktoje analisti Preç Zogaj.