Ekspert në fushën ku “2 e 2 bëjnë 4” – matematikë, profesor Aleksandër Kovaçi, i bërë për herë të parë mediatik për shkak të protagonizmit të tij si drejtues i protestës së pedagogëve për rritje pagash, në rolin e kreut të sindikatës përkatëse, si duket çedon shumë në fushat sociale, aty ku 2 plus 2 jo gjithnjë del 4 rezultati. Çedon në njohjen e personalitetit njerëzor, që nuk është aq arithmetik sa ai mendon, nisur dhe nga vetja.

Dy ditë më parë, duke tentuar t’i përgjigjet kryeministrit me anë të një replike në distancë, ai i zbuloi dhe publikut deftesën e 8-vjeçares, kur tha se e kishte gjithë 10-ta nga e para deri te e teta. Vijoi dhe pak më tej, duke potencuar të qënit një profesor matematike, nga ata të asaj kohe të artë. Të gjitha këto janë të vërteta, aspak për të dyshuar. Madje profesor Kovaçi ka një CV goxha të pasur në karrierë akademike.

Por e gjitha kjo, te vetë ai, rrëzon atë arithmetikën e thjeshtë ku ai është adapt, se “2 e 2 bëjnë 4”; profesori, pos që është në nivele të anonimit publik – mund ta njeh jeta universitare, por jo publiku i gjerë dhe prej ndonjë roli me peshë dhe të spikatur – por dhe performanca e tij publike tashmë, prej gati 2-3 javësh, qyshse u shfaq si drejtues proteste, është tejet e varfër.

Nuk mund të vihet në diskutim e drejta që shpalos për rritje pagash apo për të tjetra kërkesa profesioni, por ligjërimi i tij, tejet skematik, shtampë, deri dhe me teza parazitare, nuk korrespondojnë aspak me statusin e tij të një akademiku. Një akademik, paçka lëmisë, duhet të shkaktojë tërmet kur flet. Deri më sot, keqardhëse ta thuash, jeta publike shqiptare s’e ka një të tillë.

Ja pra që 2 plus 2 jo gjithnjë bëjnë 4.

Kështu dhe në politikën shqiptare të 30 viteve: nuk është se ata që kanë udhëhequr e drejtuar vendin kanë qenë pa shkollë, përkundrazi, kanë ardhur si ekselentë nga fusha të ndryshme, por gjurmët e tyre, produkti i tyre, ka qenë ai i njerëzve më të padijshëm në planet. “Nuk jemi injorant…”, tha profesor Kovaçi, drejtuar Ramës. Por i duhet thënë: Po, mund të jesh dhe injorant, referuar asaj se si është udhëhequr ky vend deri më tani, paçka malit arsimues mbi shpinë.

Le të marrim dy shembuj: I pari, Sali Berisha. I konsideruar ikonë e kardiologjisë shqiptare, ardhur nga bota akademike gjithashtu, i kopsitur në atë pjesën zyrtare të intelektualizmit. Por çfarë është ai dhe produkti tij etik, politik, qeverisës? Një katastrofë e vërtetë, e paimagjinueshme aherë kur u shfaq për herë të parë në aksion politik, në 90-ën.

I dyti, Sabri Godo. Nuk ishe akademik. Madje as studimet e larta nuk i kishte, por kur hapte gojë ishte gjithë mençuri e urtësi. Nuk pati rast të qeveriste, për ta parë nëse do ishte i aftë aty, por ka ikur nga kjo botë duke lënë në kujtesën e njerëzve shijen e mirë të një burri të urtë, nga ata që kanë lënë një boshllëk të pazëvëndësueshëm në ligjërimin politik.

Le të shkojmë më tej: askush nuk e di se ç’shkollim ka Erdogan, se ç’nota ka marrë në fillore; dihet se nuk ia thotë në gjuhë të huaja, por sot është dhe një lider me peshë globale, pos një revolucionar i vendit të tij.

Dhe shembuj të tillë has me qindra në politikë, këtu a në botë, dje dhe sot. Kështu që profesori i protestave duhet ta kuptojë se dhe te vetë ai 2 e 2 nuk bëjnë 4. Që do të thotë se dëftesa me 10-ta e 8-vjeçares nuk është hiç argument. Argument është roli yt publik, forca imponuese e ideve, aksioneve, ndryshimet që dikton në shoqëri, shija që le si personalitet, duke mos qenë thjesht një person. Sepse jo të gjithë profesorët, pedagogët apo akademikët me tituj, janë dhe personalitete shoqërore.

Janë persona por jo personalitete!(Tesheshi)