Nga Kreshnik Spahiu

Opozita e përçarë po shkon drejt një humbje të sigurt në zgjedhjet lokale maj 2023. Opozitës i ka humbur logo dhe vula. Ende nuk dihet kush do mbaj firmën e Partisë Demokratike dhe të drejtën për regjistrim në zgjedhje.

Nga njëri krah Erion Veliaj dhe socialistët kanë 1 vit që përgatiten dhe kanë nisur fushatën. Nga krahu tjetër Berisha vazhdon avazin e vjetër, që i nxjerr emrat në minutën e fundit. Kjo nuk i lë mundësinë dhe kohën askujt që të sjell një fitore në Tiranë për 45 ditë. 7 muaj para zgjedhjeve, Partia Demokratike është futur në një procedurë qesharake për selektimin e kandidatëve për kryetar bashkish.

Sikur të mos mjaftonte përçarja që kanë mes tyre, Berisha ka rifutur në lëvizje procedurën që e copëton partinë. Teoria e “primareve” ku anëtarësia e PD, voton për një nga emrat e preferuar, jo vetëm që nuk e bashkon, por e ndan partinë.

Kjo është eksperiencë e dështuar dhe provuar në 1999 nga vetë Partia Demokratike e cila kandidoi në “primare” Besnik Mustafain, Spartak Ngjelën, Bamir Topin dhe Buron Kacelin. Në përfundim me balotazh zgjodhi Besnik Muastafajin si kandidat përball Edi Ramës. Rama fitoi me 2% më shumë dhe hyri në politikë, sepse PD u përça. Mbështetësit e Topit, Ngjelës dhe Kacelit nuk votuan një tropojan në Tiranë, por mbështeten Dash Shehin si kandidat i tretë dhe ky mori 4%.

Asnjë “tironc” nuk votoi për PD. Berisha nuk po e bashkon partinë dhe as nuk ka asnjë ofertë për të pakënaqurit apo anti-berishianët. Nëse do donte bashkimin e kishte një alternativë: Të kandidojë Lulzim Bashën për Bashkinë e Tiranës. Kandidimi i Lulzim Bashës do justifikohej për këto arsye:

1- Emri i Bashës do mirëpritej nga deputetët dhe mbështetësit e ish-kryetarit dhe do bashkonte dy pjesët e partisë.

2- Emri i Bashës është i vetmi që ka marr rezultatin më të mirë në Tiranë 24 vitet e fundit në kryeqytet. Më mirë se Mustafaj. Më mirë se Ngjela. Më mirë se Olldashi. Më mirë se Kosova.

3- Emri i Bashës do zbuste marrëdhëniet e luftës me Amerikën, Anglinë dhe Bashkimin Evropian.

4- Emri Bashës do provonte se foltorja nuk gënjeu për hapjen dhe premtimet për bashkim. Berisha dhe Meta ose të kandidojnë vetë përball Erion Velisë, ose të kandidojnë Lul Bashën.

Çdo zgjedhje tjetër mjeku, inxhinieri, kuzhinieri, shoferi apo kamerieri do jetë thjesht emër blof për humbje dhe për t’ia dhuruar mandatin e 3 Erion Velisë. Berisha ka një problem serioz, që nuk kandidon profile më të larta se vetja, por i zgjedh 10 shkallë bosh dhe poshtë vetes.

Me Lulzim Bashën ndoshta do e humb sërish Tiranën, por fiton bastin që të gjithë ne kemi vënë, se Berisha nuk ndryshon. Ai eleminon dhe lufton miqtë, jo armiqtë…..

Mllefi dhe urrejtja e kanë zvogëluar aq shumë, sa Tirana është mision i pamundur për çetën e tij. Lufta e tij do jetë vetëm për të fituar Tropojën, madje edhe atje nuk do shkoj vetë për fushatë por do dërgoj Ilir Metën.