Saranda Bogujevci ishte kosovarja e parë që ka folur këtë të martë në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, pasi delegacionit iu lejua edhe e drejta e fjalës këtë herë, përveç pjesëmarrjes, por ajo nuk ishte e vetmja që foli për Kosovën. Oleksiy Goncharenko, anëtar i delegacionit të Ukrainës në Asamblenë e Përgjithshme në Këshillin e Evropës, me një fjalim pasionant, u bëri thirrje 12 anëtarëve të KiE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën “ta bëjnë menjëherë”. “Ju lutemi ta njihni këtë vend si një shtet të pavarur. Ata luftuan për të ardhmen e tyre, për pavarësinë e tyre – duhet të ulen këtu bashkë me ne. Ata duhet të jenë pjesë e Këshillit të Evropës”, tha Goncharenko. Në fund, në gjuhën shqipe, deklaroi se “Kosova është Evropë”.

Kjo nuk është hera e parë e as hera e fundit që politikani ukrainas do të flas për Kosovën, sepse siç thotë ai: “e di historinë dhe e di sa e vështirë ishte rruga e Kosovës drejt pavarësisë”. Duke folur për AP, Goncharenko deklaroi se gjen shumë ngjashmëri mes asaj që aktualisht po ndodhë në Ukrainë dhe luftës së fundit në Kosovë. “Gjenocidi që ndodhi atje, ngjarjet e tmerrshme dhe veçanërisht tash nëpër çfarë po kalojmë ne, besoj se këto dy ngjarje kanë shumë të përbashkëta dhe prandaj e ndjej se duhet ta mbështes Kosovën dhe do ta bëj edhe në të ardhmen”.

“Kosova është Evropë” në gjuhën shqipe ka mësuar ta thotë kur ishte për vizitë në Kosovë, në vitin 2008, kur u shpall pavarësia. “Isha me fat që në vitin 2008 vizitova Kosovën. Më ka pëlqyer shumë Kosova, njerëzit dhe Prizreni veçanërisht që e konsideroj si një nga qytetet më të bukur që kam parë ndonjëherë”. Por, udhëtimi në Kosovë shumë shpejt nuk do jetë vetëm një kujtim i bukur i vitit 2008, sepse në KiE Goncharenko u takua edhe me delegacionin e Kosovës dhe ata e kanë ftuar të vijë sërish në vizitë.

“Jam takuar me delegacionin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe jam ftuar që ta vizitojë Kosovën. Mbase do të ndodhë vizita në fund të tetorit”, tregoi për AP-në. Veç thirrjeve në Asamblenë e Përgjithshme të KiE-së, Goncharenko thirrje për njohjen e Kosovës po bën edhe në vendin e tij, në Ukrainë. Ukraina akoma s’e ka njohur Kosovën dhe politikani nga Odesa ka marrë një iniciativë që ta ndryshojë këtë gjendje të mosnjohjes.

Me 5 gusht, përmes llogarisë së tij në Twitter, pati njoftuar se ka dorëzuar draft-rezolutë në Verkhovna Rada (Parlamentin e Ukrainës) për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Goncharenko është deputet i pavarur dhe është opozitar. Ai s’ka grup të vetin parlamentar për ta shtyrë çështjen, por shpresë ka shumë. Kauza është e drejtë dhe aftësitë e tij për ta artikuluar atë s’janë të vogla.

“Për momentin draft-rezoluta im për pavarësinë e Kosovës është në Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme, s’ka ende vendim për të”, tregon Goncharenko. Pse ka ngecur propozimi i tij më shumë se me vetë qëndrimin për Kosovën, ka të bëjë me lëvizjet delikate e më shumë kujdes që në këtë kohë Ukraina i bën në politikën e jashtme. “Pozicioni i ministrisë së punëve të jashtme është që të mos nguten me hapa të mëdhenj”, thotë ai, “por unë do të vazhdoj të informoj ukrainasit për gjithë mbështetjen që po marrim ne nga Kosova dhe nga populli i Kosovës”.

Rrugëtimi politik i Oleksiy Goncharenko

Ai është ukrainas nga qyteti i Odesas, deputet i Parlamentit të Ukrainës dhe anëtar i delegacionit ukrainas në Asamblenë e Përgjithshme në Këshillin e Evropës. Është gjithashtu zëvendës-president në Komisionin për Migrim, Refugjatë dhe Zhvendosje të Brendshme të Personave. Goncharenko është edhe themelues i rrjetit ukrainas për edukim dhe kulturë. Në vitin 2014 ishte zgjedhur si deputet në parlament, apo siç njihet në Ukrainë, në Verkhovna Rada, në listën e partisë së bllokut të Petro Poroshenko-s.

Kurse në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, Goncharenko garoi dhe u zgjodh si deputet i pavarur, duke fituar një ulëse nga qyteti i Podilsk, zona e Odesas. Goncharenko është djali i ish kryetarit të Odesas, Oleksiy Kostusyev. Nga viti 1999 deri në 2001, ai kishte punuar në stacionin e emergjencës mjekësore në Odesa, kurse në vitin 2002, u diplomua me nderime në Universitetin e Medicinës, porse vendosi që të mos bëjë karrierë brenda profesionit, por t’i futet politikës.

Ishte vetëm 21 vjeçar, kur garoi, por pa sukses, për Këshillin e Distriktit në Odesa nga zona e fshatit Tairove, për Partinë e Të Gjelbërve Ukrainas. Pas kësaj, një kohë punoi si asistent në këtë Këshill. Më pas kishte regjistruar studimet në Universitetin e Moskës, drejtimi Financa, ku diplomoi në vitin 2005, me një diplomë në Ekonomiks. Prapë do t’i kthehej politikës për të fituar në zgjedhje lokale në disa pozicione, derisa në vitin 2012 garon për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të Ukrainës, por humbi nga kundërkandidati Ihor Markov.

Para Euromaidan-it që ndodhi në Ukrainë, Goncharenko ishte anëtar i Partisë së Regjioneve. Por në vitin 2014, me 19 shkurt, pasi veç kishin mbetur disa viktima në Euromaidan gjatë protestave, Goncharenko dha dorëheqje nga partia. Në vitin 2015 ai ishte arrestuar nga forcat ruse, pasi kishte marrë pjesë në marshin në kujtim të Nemtsov, opozitarit rus. Sipas tij, kur ishte arrestuar ishte rrahur brutalisht nga forcat policore ruse dhe ishte zotuar se do ta padisë Ministrinë e Punëve të Brendshme të Rusisë.

Nga viti 2015, Goncharenko ka qenë anëtar i delegacionit parlamentar ukrainas në Këshillin e Evropës. Prej atëherë ai ka qenë kritik i madh i regjimit në Rusi dhe ka folur hapur për shkeljen e të drejtave të njeriut atje. Në fjalimet e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ai kritikoi Moskën për shkelje të të drejtave të njeriut dhe për okupimin e Krimesë dhe pjesëve të Donetsk-ut e Luhansk-ut. Ka luftuar gjithashtu prej kohësh me propagandën ruse dhe narrativet e Kremlinit. Prejse ka filluar lufta në Ukrainë, ai aktivisht avokon për krijimin e një tribunali ndërkombëtar që do të hetonte krimet e Rusisë në Ukrainë. Ai ka vazhduar të luftojë propagandën ruse, derisa aktivisht ka dhënë intervista për mediat ndërkombëtare.