Kryeministri Edi Rama tha sot se “këtë vit kemi 55 milionë euro më shumë eksporte se vitin e kaluar”.
Gjatë dorëzimit të “Certifikatës së Mirënjohjes”, Adriatik Kajës për kontributin e rikthimit të traditës së kultivimit të mollës në Bulqizë përmes ngritjes së një pemëtoreje për krijimin e kushteve të punësimit, Rama tha se “duke marrë shembullin e Adriatikut që është një nga njerëzit që tërheqin karrocën me shembullin e tyre, 12 mijë rrënjë nuk besoj se e keni parë duke hedhur ndonjë kokër mollë në kanal të gjitha i ka të shitura për eksport”.
“Adriatiku dhe shumë të tjerë që i kanë dhënë jetë të gjithë eksporteve tona dhe kanë bërë që këtë vit të kemi 55 milion euro më shumë eksporte se vitin e shkuar dhe do të na bëjnë të arrijmë pak nga pak në objektivin tonë në 1 miliard eksporte brenda 2029, por që na bëjnë që ta shikojmë eksportin me shpresën që të arrijmë gjysmë miliardin që këtë vit”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “arrijnë këtu sepse informohen, i bëjnë hyzmetin jo kuturu tokës, prodhimit, sepse dinë shumë si të krijojnë sinergji si të bashkohen në një linjë të përpunimit të mjaltit në mënyrë që të keni brandin tuaj dhe që të dilni edhe në tregjet ndërkombëtare me lloje të ndryshme të mjaltit tuaj dhe të rrisni fitimet”.