Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se gazsjellësi Adriatiko-Jonian do të jetë një vlerë e shtuar për Shqipërinë. Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Rama informoi se temë e bisedës ishin edhe investimet.
“Diskutuam për investimin e përbashkët të Azerbajxhanit, të Bashkimit Europian dhe vendeve tona për gazsjellësin Jonian-Adriatik ose Adriatik-Jonian, si të doni, varet se nga niseni, që do të lidhë gazsjellësin Trans-Adriatik me Malin e Zi dhe Kroacinë dhe do jetë një vlerë e shtuar për vendin tonë”, tha ai.
Rama theksoi se “Shqipëria do të ketë një periudhë tranzicioni të vështirë për të dalë në një tjetër nivel”.
“Me investimet që po bëjmë për energjinë diellore dhe me investimet që po bëjmë për pjesën që ka të bëjë me gazin e lëngshëm, ne në vitin 2025, do jemi 100% të kapaciteteve për nevojat kur është mot me shi të mjaftueshëm, kurse kur është mot pa shi fare do të na duhet të vazhdojmë të investojmë për vitin 2029”, tha Rama.