Kryeministri Edi Rama i ka kthyer sërish përgjigje deputetit demokrat Agron Shehaj për reagimin e tij se ka kontratë qiraje për biznesin që i është mbyllur për shkak se pallati nuk ka leje ndërtimi. Rama shkruan se deputeti ka hapur biznesin në një ndërtesë pa leje, ndërsa i ka kthyer përgjigje edhe për lejen e ndërtimit që ka publikuar Shehaj. Rama thotë se ndërtuesi ka shkelur lejen e ndërtimit.

“Ballisti i foltores paska nxjerrë një kontratë qiraje duke treguar një leje ndërtimi, po nuk e njeh ligjin sepse në parlament flet për biznesin e tij, që nuk duhet ta fuste në një ndërtim të paligjshëm dhe duhet ta dinte që nuk bëhet biznes në një pallat që s’ka leje shfrytëzimi! Sa për lejen e ndërtimit ajo është shkelur, pra është bërë nul nga vetë ndërtuesi, që duke tejkaluar edhe 10%-shin e tolerancës ligjore e ka bërë ndërtimin objekt të sekuestrimit sipas ligjit! Po s’ke ç’i bën, nga fshehjet në kotece tek futjet në pallate pa leje, zakon ballistash”, shkruan Rama.