Kryeministri Edi Rama, nga Praga, ku u mbajt takimi Komunitetit Politik Evropian, ka bërë me dije se edhe vendet e Ballkanit do të jenë pjesë e bisedimeve të Bashkimit Europian për përballimin e krizës energjetike. Rama tha se ministrat e Energjisë së Ballkanit do jenë pjesë e takimit të BE që do të mbahet sëshpejti në Pragë për krizën energjetike.
“Lajmi i mirë është që me kërkesën time drejtuar kryetares së komisionit është pranuar që të thirren edhe ministrat tanë të energjisë në takimin që do zhvillohet në Pragë për të trajtuar çështjen e energjisë si një çështje europiane dhe jo si një çështje të BE. Në tryezën e rrumbullakët ku kam qenë bashkë me kryeministrin e Holandës tonë fokusi kryesor ka qenë kriza energjetike dhe si vendet tona, duke filluar nga vendet tona, duke nisur nga vendet që kanë hapur negociatat për anëtarësim, do duhet të ndihmohen drejtpërdrejte. Unë kam insistuar që duhet të përfshihen të 6 vendet, pavarësisht nëse i kanë hapur apo jo negociatat”, tha Rama.