Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish sot në lidhje me deklaratën e bërë një ditë më parë nga deputeti Agron Shehaj në Kuvend, i cili pretendon se pushteti po hakmerret ndaj tij. Rama e ka quajtur Shehajn “ballist” të foltores, i cili bën viktimën në Kuvend, për një ndërtim pa leje.

“Në vazhdën e operacionit për të bllokuar dhe konfiskuar metrat katrorë të ndërtuara pa leje nga ata ‘oligarkët’ që na i faturojnë ne, por në fakt janë këta, ka bllokuar godinën për të cilën pronarja thoshte e kam hotel, dhe brenda na gjendet një biznes i një deputeti, një ballist foltoreje, në një ndërtim pa leje.

Dakord, ka hyrë atje, këta se kanë problem të shkelin ligje, sidomos me ndërtime kanë një raport patologjik se i duan pa leje, po si del në parlament dhe kap foltoren dhe fillon ‘policia, Rama, duan të më mbyllin gojën’. Po si t’i mbyllim gojën? Bën dhe viktimën e fjalës së lirë.

Dhe pavarësisht nga fakti që ne po japim një goditje përfundimtare, çojnë në Gjykatën kushtetuese ankesë. Po ç’punë ka një parti të ankohet që shteti kap disa biznesmenë në shkelje të ligjit? Shumë e thjeshtë sepse janë bashkë”, tha Rama.