Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë këtë të enjte, teksa po mban një konferencë për shtyp të përbashkët me kryeministrin Edi Rama.
Duke u ndalur tek rrija e inflacionit dhe çmimit të energjisë si pasojë e luftës, kryeministri Rama theksoi se Putin ka shkuar në Ukrainë për të gjunjëzuar Perëndimin dhe jo vetëm për të pushtuar atë shtet.
“Lufta na lidh edhe përmes përmbajtjes së saj. Shqetësimet ekonomike thonë ç’na duhet ne lufta, por na duhet shumë për të pasur këtë që kemi. Lirinë, demokracinë dhe përkatësinë në një familje të madhe që është e kërcënuar. Putin ka shkuar në Ukrainë për të gjunjëzuar Perëndimin. Ky është basti. Gjunjëzimi i Perëndimit Demokratik është në mendësinë e tij, ndërprerja e gazit, rriti çmimet, futi në stres dhe nxirri në rrugë. Dhe për ti bërë të ndryshojnë mendje për mënyrën si jetojnë. I jemi falënderuese Presidentes.” tha kreu i Qeverisë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, më herët deklaroi se BE do t’i japë Shqipërisë 80 mln euro grante, si mbështetje për krizën energjetike dhe 500 mln euro për Ballkanin për modernizimin e sistemit energjetik.
“Rusia po shkel rendin ndërkombëtar, të drejtën ndërkombëtare. Rusia po përpiqet ta përdorë energjinë si armë dhe ne të gjithë i ndjemë efektet. Por fatmirësisht Shqipëria nuk ka fare varësi te gazi rus, natyrisht që energjia elektrike që vjen në Shqipëri ndikohet nga trazirat në treg dhe këto çmime stratosferike. Ne kemi vendosur që e vetmja përgjigje që mund të japim është me anë të unitetit dhe solidaritetit. Ne jemi pjesë e një unioni për energjinë ndaj propozojmë një paketë mbështetëse për energjinë për Ballkanin Perëndimor. Së pari mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore. Do të jenë 80 milionë Euro në grante. Pjesa e dytë ka të bëjë jo me mbështetjen e menjëhershme, por me mbështetjen që do të vijë pas janarit, për sistemin e infrastrukturës së energjisë. Po flasim për 500 milionë euro në grante për të investuar në energjetike për të gjithë Ballkanin”, tha Von der Leyen.