Kreu i grupit të Partisë Socialiste Taulant Balla ka njoftuar ditën e sotme se PS është e gatshme për një tjetër takim me përfaqësues të Partisë Demokratike të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj në lidhje me diskutimet për Reformën Territoriale. Balla u shpreh se PS nuk bën asnjë pazar politik që bie ndesh me mirëqverisjen vendore ndërsa shtoi se sot shërbimet janë shumë herë më të mira se në vitin 2015.

“Avokati i Popullit në detyrë vazhdon të qëndrojë përtej mandatit. PS nuk bën asnjë Pazar politik që bie ndesh me mirëqeverisjen. Sot në Shqipëri organet e qeverisjes vendore janë një transformim epokal me ato që kishim deri në vitin 2015. Kishte 384 kryetarë bashkish e komunash me 384 shoferë dhe administrata, unë mendoj se ishte e papranueshme. Shërbimet publike janë shumë herë më të mira sot.

Megjithatë ne e kemi dëgjuar dhe do vazhdojmë të dëgjojmë me vëmendje propozimet që vijnë nga opozita. Jemi të gatshëm për një takim me Alibeajn dhe Çupin për të dialoguar. Opinioni im është ky dhe ndërkohë që ditët në vijim le të përmbyllim dhe në fund është detyrë e komisionit të dalë me një qëndrim përfundimtar për këtë çështje. Nëse do kemi të gjithë një qëndrim është shumë mirë. Gjithë shqiptarët e kanë përcjellë me vëmendje fjalën e kryeministrit Rama në KiE e cila në vlerësimin tim shënon një moment historik të pastrimit të imazhit të Shqipërisë nga një baltë e hedhur mbi çdo shqiptar kudo që ai jeton.

Shqiptar në Shqipëri dhe diasporë. Është thënë se shqiptarët janë përfshirë në trafik organesh. Shqiptari nuk e ka për zakon këtë pjesë. Si ka mundësi që përfaqësuesi i shumicës qeverisëse, Sali Berishës dhe Ilir Metës kanë votuar pro. MEPJ nuk ka pasur asnjë reagim për këtë çështje. Njeriu më i besuar i Putin në KiE kishin inicuar një rezolutë të formësuar në Moskë”, u shpreh Balla.