Pas edicionit të Ligës së fundit të Kombeve për t’u harruar, kuqezinjtë kërkojnë ta kthejnë faqen. Tashmë është hedhur shorti i kualifikueseve të “Euro 2024”, ndaj gjithçka fokusohet tek objektivi kualifikim në Gjermani. Në këtë funksion është edhe miqësorja e 26 tetorit në “Al Nahyan Stadium” të Abu Dabi, ndaj Arabisë Saudite.
Natyrisht, mbetet për t’u vendosur fati i trajnerit Edy Reja, nëse do të vijojë apo largohet kur t’i mbarojë kontrata në nëntor. Sot nisi grumbullimi me 14 futbollistë nga Superiorja për këtë test miqësor, ndërsa trajneri veteran italian shprehur pikëpamjet e tij për shumë gjëra:
“I kam ndjekur prej disa vitesh lojtarët e Superiores. Kjo ndeshje do të më shërbejë t’i shikoj nga afër, edhe pse do të doja që të punoja më shumë me ta. Shpresoj që ndonjëri prej tyre të jetë pjesë e kombëtares në të ardhmen. Tri vite më parë e kam pasur në projekt bashkë me presidentin për të përfshirë sa më shumë lojtarë nga Shqipëria. Marr si shembull Hoxhallarin, Seferin apo Trashin”.
Flitet shumë për të ardhmen, por pjesa e moshës është thjesht faktor psikologjik. Kam shumë besim te kjo skuadër. Objektivi im fillestar ishin eliminatoret e “Euro 2024”. Sigurisht që kemi zhgënjyer në Ligën e Kombeve, nuk dua të kërkoj alibi. Unë dua ta çoj deri në fund këtë mision për në finalet e “Euro 2024”. Dua të qëndroj, sepse kam energjinë e duhur, por do të flas me Dukën menjëherë pas përfundimit të kontratës. Dëshira ime është e madhe për të vazhduar.