Një reper rus i ka dhënë fund jetës së tij për të shmangur rekrutimin në luftën barbare të Vladimir Putinit në Ukrainë. Daily Mail shkruan se Ivan Vitalievich Petunin, 27 vjeç, i njohur me emrin e artit Walkie, besohet se ka kryer vetëvrasje të shtunën e 1 tetorit në qytetin jugor rus të Krasnodarit. Trupi i tij u gjet pranë një ndërtese shumëkatëshe në Rrugën Congressnaya pasi muzikanti 27-vjeçar regjistroi një video-mesazh dhe e publikoi në kanalin e tij Telegram në të cilin thoshte se nuk donte të vriste për asnjë ideal.
Petunin, i cili më parë kishte shërbyer në ushtrinë ruse dhe ishte trajtuar në një spital psikiatrik, u tha fansave të tij: “Kur të shikoni këtë video, atëherë unë nuk do jem më gjallë. Nuk mund ta marr mëkatin e vrasjes në shpirt dhe nuk dua. Nuk jam gati të vras për asnjë ideal, nuk jam gati te vras te ngjashmit me mua’. Ai gjithashtu dukej se kishte frikë se mobilizimi i pjesshëm i Putinit mund të shndërrohej së shpejti në një draft të plotë ushtarak, mes pretendimeve se Moska po planifikon të thërrasë 1 milion burra për të shpëtuar pushtimin e dështuar.
Më shumë se 194,000 qytetarë rusë kanë ikur në Gjeorgjinë fqinje – e cila u pushtua nga Rusia në 2008 – Kazakistani dhe Finlanda që kur Putin njoftoi një mobilizim të pjesshëm të rezervistëve për të forcuar trupat e tij në Ukrainë. Në disa raste, madje meshkujt rusë kanë dëmtuar veten e tyre duke shkaktuar thyerje të gjymtyrëve për të shmangur rekrutimin.