Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), organizoi më 5 shtator 2022 tryezën e tretë tematike të këshillimit publik, në kuadrin e rishikimit të Kodit të Transmetimit. Diskutimi i radhës u përqendrua te “Respektimi i të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtja e interesit më të lartë të fëmijës në transmetimet audiovizive” si edhe te “Respektimi i të drejtave të personave me aftësi të kufizuar dhe aksesi i tyre në transmetimet audiovizive”. Të dyja problematikat janë kapituj të mëvetësishëm të Kodit ekzistues të Transmetimit, të cilët gjatë rishikimit janë pasuruar ndjeshëm.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të OSHMA-ve, organizatave të shoqërisë civile me fokus të drejtat e fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuar, shoqatave që operojnë në fushën e medias dhe të drejtave të njeriut, botës akademike, studiove ligjore, institucioneve qendrore dhe lokale, pranisë së OSBE-së dhe Këshillit të Europës në Tiranë.

Tryeza shërbeu si një hapësirë e dobishme diskutimi me të gjithë grupet e interesit përkitazi Projektodit të Transmetimit në përgjithësi dhe mbrojtjes së interesit më të lartë të fëmijëve dhe të drejtave të personave me aftësi të kufizuar në transmetimet audiovizive, në veçanti.

Kryetarja e Këshillit të Ankesave, Zj. Mirela Oktrova, bëri një paraqitje të shkurtër të procesit të deritanishëm të rishikimit të Kodit të Transmetimit në përmbushje të detyrimeve të rrjedhura prej Planit Strategjik 2021-2023 të Autoritetit dhe kërkesave të zhvillimit shoqëror dhe teknologjik. Ajo theksoi rëndësinë e adresimit të çështjeve në diskutim nga këndvështrimi i interesave të të prekurve dhe interesit publik si edhe nga këndvështrimi i formimit profesional dhe edukimit mediatik, duke vënë theksin te roli rregullator i Autoritetit në administrimin e shmangieve dhe shkeljeve. Referuar peshës specifike të shkeljeve të të drejtave ne diskutim, Kryetarja e KA-së nisur prej trendit rritës të ankesave në përgjithësi dhe atyre, me fokus të drejtat e fëmijës në veçanti, tërhoqi vëmendjen për numrin e papërfillshëm të ankesave me objekt të drejtat e PAK, administruar nga KA duke sensibilizuar për rëndësinë e njohjes dhe përdorimit efektiv te mekanizmit të ankesës nga ky komunitet.

Përfaqësuesit e grupeve të interesit parashtruan disa problematika dhe bënë disa propozime për ndërhyrje. Ata u përqendruan në rastet kur raportimi në media ka ndikuar identifikimin direkt apo indirekt të fëmijëve, të përfshirë në ngjarje të rënda, në mungesën e emisioneve dedikuar fëmijëve, në publikimin e pamjeve të rënda ose të papërshtatshme në orare, që mund të ndiqen edhe nga të miturit, në problemet e intervistimit dhe paraqitjes së fëmijëve, terminologjisë së përdorur për PAK, në segregimin dhe mospërfshirjen e tyre në formate gjeneraliste dhe jo të dedikuara, në reklama ose publicitete, në domosdoshmërinë e titrimit të transmetimeve audiovizive, për t’i bërë të aksesueshme për ta, në probleme të tjera të aksesit të PAK në media dhe përmbajtjet audiovizive, etj.

Ekspertja e angazhuar nga AMA për analizimin dhe hartimin e Kodi të ri të Transmetimit, Prof. Dr. Vasilika Hysi, në cilësinë e juristes dhe njohëses së çështjeve të lirive dhe të drejtave të njeriut, prezantoi hollësisht ndryshimet e propozuara në draft si dhe solli në vëmendje referencat përkatëse në ligjin shqiptar dhe në konventat europiane në të cilat Shqipëria është palë. Duke ballafaquar ndjeshmëritë e interesave të komuniteteve në fokus me shkeljet dhe detyrimet ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare, ekspertja theksoi edhe rëndësinë e hartimit të Kodeve të Sjelljes nga çdo OSHMA, me qëllim verifikimin e përmbajtjeve audiovizive me fokus fëmijët dhe PAK si edhe evitimin e shmangieve mbështetur në dispozitat përkatëse.

AMA inkurajon të gjithë aktorët dhe faktorët që të konsultohen me këtë draft dhe bëjnë propozimet ose sugjerimet e tyre. Tryeza tematike në vijim, e cila mbyll këshillimet në Tiranë, do të fokusohet te seksionet Gjuha e urrejtjes dhe E drejta për privatësi dhe mbrojtja e të dhënave personale.

Afati maksimal i përfundimit të fushatës së këshillimit publik për Kodin e Ri të Transmetimit parashikohet të jetë fundi i tremujorit të parë të vitit 2022. Gjatë gjithë kësaj kohe, Projektkodi i plotë i Transmetimit do të qëndrojë i publikuar në faqen zyrtare të Autoritetit të Mediave Elektronike – në rubrikën Këshillimi publik – për të garantuar akses të plotë në dokument jo thjesht dhe vetëm të OSHMA-ve dhe grupeve të tjera të interesit, por edhe të publikut të gjerë, si për t’u njohur me të, ashtu edhe për të formuluar vërejtje dhe sugjerime për aspekte të caktuara të tij.