Rio Ferdinand beson se Armando Broja është ndër më të lumturit te Chelsea për largimin e trajnerit Thomas Tuchel dhe emërimin e Graham Potter. Ish-mbrojtësi i Manchester United, tashmë i shndërruar në analist sportiv, tha se Broja, me të rinj të tjerë, mund të ishin larguar nga Chelsea nëse gjermani do të kishte qëndruar në stol.
“Lojtarët e rinj, Broja për shembull, kishte shumë klube që i vinin rrotull. Nëse do të kishte ndodhur vite më parë, ai do të ishte lënë të largohej”, tha Ferdinand për BT Sport. “E njëjta gjë me Conor Gallagher. Shumë njerëz, dhe unë isha një prej tyre, mund të kenë menduar sa keq që Tuchel iku. Por disa lojtarë të rinj do të përfitojnë vërtet nga kjo. Chelsea ka një akademi fantastike”. Vendimi për shkarkimin e gjermanit në shtator u kritikua shumë, por Potter ka arritur të bëjë që të ndryshojnë mendim. Broja ka luajtur vetëm si zëvendësues këtë sezon me Blutë, duke shënuar një gol në ndeshjen e fundit kundër Wolverhampton, por pëlqehet jashtëmase nga tifozët, të cilët u lumturuan pas rinovimit të kontratës dhe vendimit të klubit për të mos e shitur në verë.