Universiteti i mjekësisë së Tiranës ka miratuar rritjen e pagave të stafit akademik me 8%. Rektori Arben Gjata tha se përfitojnë rreth 300 pedagogë që janë pjesë e fakultetit të mjekësisë, stomatologjisë dhe infermierisë.

“Neve kemi qenë në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave i cili parashikonte 7% rritjen e pagave nga granti që jep qeveria dhe 8% nga universitetet që është rritja maksimale që mund të bënin universitetet. Ne mbasi bëmë vlerësimin financiar dilte që universiteti mund t’i mbulonte këto shpenzime dhe u mor vendimi bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave që universiteti ta rrisë në maksimum atë pjesën e vetë, 8% e vetë duke filluar nga 1 Nëntori rritja e pagave të pedagogëve të Universitetit të Mjekësisë shkon 15%”, ka thënë rektori i Mjekësisë Arben Gjata.

Sipas rektori të mjekësisë, universiteti falë projekteve që ka fituar i ka mundësitë financiare të mbulojë rritjen deri në nivelin maksimal të pagave që ka miratuar qeveria.

“Para se të bëhej rritja e pagës është bërë studimi nga drejtoria përkatëse dhe nga ana administrative e universitetit dhe rezulton që kjo kërkon rreth 19% të ardhurave të universitetit që shpenzohen gjë që nuk e prek atë stabilitetin financiar të universitetit”, ka thënë Gjata.