Nga John Feng “Newsweek”

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Kur Partia Komuniste Kineze (PKK) festoi 100-vjetorin e saj vitin e kaluar, ajo kishte mbijetuar 2 dekada më shumë sesa “kushërira” e saj sovjetike, dhe kishte arritur në një moment të madh historik. Liderët kryesorë të kësaj partie si Mao, themeluan në vitin 1949 atë që ata e quajtën “Kina e Re”, pasi rrëzuan nga pushteti ish-qeverinë republikane të Pekinit. Sot, Xi Jinping është lideri i 1.4 miliardë njerëzve, interesat e të cilëve janë të pandashme nga ato të partisë në pushtet, e cila mburret se ka mbi 96 milionë anëtarë. Pasi kremtoi 100 vjetorin e themelimit, PKK synon sipas Xi të krijojë deri në vitin 2049 një “vend të madh modern socialist në të gjitha aspektet”. Dhe në këtë aspekt, si synon të shfrytëzojë çdo element të fuqisë kombëtare. Pavarësisht fillimeve të saj modeste në vitin 1921, kontrolli i partisë mbi shtetin më të madh socialist njëpartiak në botë, nënkupton se ajo zotëron e vetme burimet financiare të Kinës, dhe çdo përllogaritje e pasurisë së PKK është padyshim e pandashme nga ajo e arkës kombëtare nën komandën e saj. Në vitet 1980, ish-udhëheqësi kryesor i Kinës, reformisti Deng Xiaoping mbikëqyri politikën e hapjes ekonomike, duke e shtyrë vendin drejt integrimit në ekonominë globale. Kina u anëtarësua në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2001 me mbështetjen e SHBA-së dhe të tjerëve. Sipas kompanisë së konsulencës “McKinsey & Company”, Kina përbënte 1/3 e rritjes së PBB-së globale, teksa vlera kolektive e të gjitha vendeve u rrit nga 156 trilion dollarë në 2000 në 514 trilion dollarë në 2020. Pasuria e Kinës u rrit nga 7 trilion dollarë në vitin 2000, në 120 trilionë dollarë në vitin 2020.

Në të njëjtën periudhë, vlera neto e pasurisë kombëtare e SHBA-së u dyfishua në 90 trilion dollarë, thuhet në raportin e nëntorit të vitit 2021. Për më tepër, ndër 10 vendet më të pasura në botë, Kina përbënte 50 për qind të rritjes, e ndjekur nga SHBA-ja me 22 për qind dhe Japonia me 11 për qind. Sipas matjeve të “McKinsey”, Kina është aktualisht vendi më i pasur në botë. Pasuria neto kombëtare, është shuma totale e aktiveve të një vendi minus detyrimet e tij. Ajo mat aftësinë e vendit për të marrë borxh dhe për të përballur shpenzimet, dhe mund të jetë e vështirë të vlerësohet me saktësi dhe qëndrueshmëri. Për shembull, Instituti i Kërkimeve “Credit Suisse”, e vendosi SHBA-në në krye të listës për pasurinë kombëtare neto me 145 trilion dollarë, ose 31.5 për qind të pasurisë globale. Kina ishte e dyta me 85 trilion dollarë ose 18.4 për qind, ndërsa Japonia e treta me 25 trilion dollarë ose 5.5 për qind. Libri i të dhënave “Global Wealth 2022”i zbuloi disa tendenca shqetësuese kur bëhej fjalë për ndarjen financiare midis Veriut dhe Jugut Global:10 vendet e para në listë zotëronin 76.8 përqind të pasurisë botërore. Pasuria kombëtare nuk duhet të ngatërrohet me Produktin e Brendshëm Bruto, që zakonisht përdoret për të matur madhësinë e ekonomisë së një vendi. Sa i përket PBB-SË, Kina e kaloi që në vitin 2010 Japoninë si ekonomia e dytë më e madhe. Sipas Bankës Botërore, ekonomia amerikane vlerësohej vitin e kaluar ME një vlerë prej 23 trilionë dollarësh përkundrejt 17.73 trilionë dollarëve të Kinës në termat e PBB-së. Përpara pandemisë së Covid-19, Kina pritej ta kapërcente SHBA-në gjatë viteve të ardhshme. Madje disa parashikonin se kjo do të ndodhte deri në fund të viteve 2020.

Sa miliarderë ka Kina?

Rritja e madhe ekonomike e Kinës në sektorët industrialë, të shitjes me pakicë dhe të pasurive të paluajtshme, ka krijuar shumë miliarderë vitet e fundit. Por edhe në këtë rast vlerësimet ndryshojnë. Sipas listës “The Ëorld’s Billionaires” të këtij viti, e cituar çdo vit nga Forbes që nga viti 1987, Kina ka aktualisht 607 miliarderë, përfshirë Hong Kongun dhe Makaon dhe duke e bërë atë vendin e dytë në botë me numrin më të lartë të super të pasurve. Listën e kryeson SHBA me 735 miliardë, ndërsa India është e treta me 166 miliarderë. Këtë vit revista numëroi 2.668 miliarderë në mbarë botë, 97 më pak se një vit më parë, por gjithsesi ata kanë një pasuri të kombinuar prej 12.7 trilion dollarësh. 8 nga 10 njerëzit më të pasur në botë ishin amerikanë. Lista kryesohet nga kreu i Tesla dhe SpaceX, Elon Musk, themeluesi i Amazon, Jeff Bezos dhe shefi i LVMH, francezi Bernard Arnault.

Megjithatë sipas një raporti tjetër, Kina e kryeson listën e miliarderëve më të mëdhenj këtë vit. “Hurun Report”, që drejtohet nga ish-hartuesi i listës së të pasurve në “Forbes”, Rupert Hoogewerf, e publikon klasifikimin e tij çdo muaj prill, 2 muaj pas “Forbes”. Në vitin 2021, grupi i tij emëroi Kinën si vendin e parë me mbi 1000 miliarderë. Këtë vit, Kina kishte 1.087 anëtarë në klubin e miliarderëve. Sipas “Huron Report”, numri global i miliarderëve arriti 3.381, ose 153 anëtarë më shumë në krahasim me vitin 2020. Lista nis me Musk, Bezos dhe Arnault në 3 vendet e para. Por numri i miliarderëve amerikanë, 716, është më i ulët sesa shifra 735 që jep “Forbes”. Sipas Hurun Kina mund të jetë vendi me më shumë miliarderë në botë, por Amerika e Veriut ka ende numrin më të lartë të individëve me vlerën neto ultra të lartë. Pra ata që kanë më shumë se 50 milionë dollarë, siç përcaktohet nga Statista.com . Azia përbënte 54 për qind të miliarderëve në vitin 2022, ndërsa 44 për qind e miliarderëve banonin në Amerikën e Veriut dhe Evropë. Ndoshta themeluesit revolucionarë të PKK nuk kishin në mendje miliarderët, dhe Xi i ka sulmuar shpeshherë mega-pasanikët e Kinës. Pasuria e tyre luhatet sa herë që presidenti kinez beson se një industri e caktuar është bërë shumë e pasur për interesin e saj, apo kur ai kërkon indirekt kontributin e tyre në pasurimin e përbashkët, si pjesë e politikës së tij të “prosperitetit të përbashkët”.

A është vërtet komuniste PKK-ja?

Qeveria kineze nuk është unike në shpërndarjen e një game të gjerë përfitimesh për popullsinë e saj, përfshirë arsimin, strehimin dhe lindjen e fëmijëve. Por vetëm këto nuk e bëjnë Kinën komuniste. Partia e saj në pushtet u frymëzua nga Revolucioni Rus i vitit 1917, dhe u themelua mbi parimet e marksizëm-leninizmit. Marksizëm-leninizmi, ishte ideologjia zyrtare e Bashkimit Sovjetik dhe e lëvizjes komuniste ndërkombëtare gjatë shekullit XX-të. Synimi i saj ishte krijimi i një shteti socialist njëpartiak për të zëvendësuar kapitalizmin në emër të klasës punëtore. Vdekja e udhëheqësit sovjetik Josif Stalin, çoi në shfaqjen e interpretimeve të reja të marksizëm-leninizmit në vende të ndryshme, përfshirë Kinën.

Sot, kolapsi i Bashkimit Sovjetik dikton ende bindjen e Pekinit – dhe veçanërisht bindjen personale të Xi – mbi nevojën e krijimit të lidhjeve të forta ideologjike midis shoqërisë dhe partisë në pushtet, për të siguruar mbijetesën e PKK. Përgjatë dekadave, liderët kinezë kanë propozuar ideologjitë e tyre specifike, si Mendimi i Mao Ce Dunit, Teoria e Deng Xiaoping dhe tani Mendimi i Xi Jinping. Këto u quajtën ndryshe edhe si Maoizëm, Dengizëm dhe Xiizëm, dhe janë pjesë e një grupi teorish politike kolektive të njohura si socializmi me tipare kineze. Udhëheqësi aktual i Kinës cilësohet si shumë ideologjik, gjë që shpjegon edhe qasjen e tij statiste për ushtrimin e një kontrollit më të centralizuar mbi shoqërinë dhe ekonominë kineze . Besimi i Xi se “Lindja po ngrihet dhe Perëndimi po bie” nuk është unik. Edhe më herët, udhëheqësit e Maos kanë shprehur një version të kësaj fraze, e cila nuk është dhe aq bindje sesa një imperativ ideologjik i marksist-leninizmit.
Ish-kryeministri i Australisë, Kevin Rudd, një njohës i mirë i Kinës, thotë se Xi Jinping, ashtu si të gjithë marksistë-leninistët, e sheh historinë si një luftë të vazhdueshme klasash, në të cilën “lëvizja e Kinës në një fazë më të avancuar të socializmit, shoqëron domosdoshmërisht rënien e sistemit kapitalist”.