Bashkëkryetarët e grupit të çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan, paraqitën sot në Dhomën e Përfaqësuesve një projekt-rezolutë ku dënohen me forcë sulmet kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë. Projekt-rezoluta e hartuar me nismën e ligjvënësit nga Nju Jorku Ritchie Torres kërkon vazhdimin e mbajtjes para përgjegjësisë për ata që organizuan sulmet si edhe bën thirrje për forcimin e mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë.

“Është thelbësore që të dënojmë sulmin e shumëfishtë kibernetik iranian ndaj Shqipërisë. Irani në mënyrë metodike u përpoq të minonte Shqipërinë kur ndërmori akte të rrezikshme kibernetike. Irani është një regjim i rrezikshëm që do të vazhdojë përpjekjet për të minuar dhe shkatërruar Shqipërinë nëse nuk frenohet”, thotë ligjvënësi Torres në një deklaratë për Shqipërinë.

“Sulmi kibernetik i Iranit kundër Shqipërisë shpërfill normat e veprimeve të përgjegjshme shtetërore në kohë paqeje në hapësirën kibernetike, ku përfshihet norma për të mos dëmtuar infrastrukturën kritike që ofron shërbime për publikun,” tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Zbulimin Financiar, Brian E. Nelson. “Ne nuk do të tolerojmë aktivitetet kibernetike gjithnjë e më agresive të Iranit që vënë në shënjestër Shtetet e Bashkuara ose aleatët dhe partnerët tanë”, shtoi ai. Irani goditi sërish një prej sistemeve të rëndësishme informatike, atë të regjistrimit të hyrje-daljeve nga vendi, i njohur si sistemi TIMS, siç konfirmuan autoritetet e Shqipërisë një ditë më pas Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken shprehu mbështetjen për Shqipërinë në një telefonatë me kryeministrin Edi Rama dhe tha se

“Uashingtoni nuk do të tolerojë sulmet kibernetike që synojnë SHBA-të apo aleatët e tyre në NATO”. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zëvendës Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë për Teknologjinë Kibernetike dhe atë në Zhvillim, Anne Neuberger tha se sanksionet e menjëherëshme ndaj Iranit ishin pjesë e një strategjie për të vënë para përgjegjësisë aktorët e papërgjegjshëm në hapësirën kibernetike. “Kjo është arsyeja që kur pamë sulmin iranian ndaj Shqipërisë, që ndërpreu shërbimet e qeverisë shqiptare për qytetarët e saj, ne dhe vendet e tjera e denoncuam për të vënë para përgjegjësisë Iranin, për ta bërë të qartë që pas tij ishte Irani, dhe për të imponuar pasoja”, tha ajo.