Kryeministri Edi Rama publikoi sot statistikat zyrtare të rritjes së prurjeve të turistëve e vizitorëve në aeroportet e Europës për muajin gusht, krahasuar me vitin përpara pandemisë, ku Shqipëria rezulton me rritje 60%.

“Ja një statistikë zyrtare e rritjes së prurjeve të turistëve e vizitorëve në aeroportet e Europës për muajin gusht, krahasuar me vitin përpara pandemisë. Një pasqyrë që flet vetë, pa asnjë koment”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Por, sipas tij, “as këtë pasqyrë dhe as të tjera si kjo, ku reflektohen ndërkombëtarisht fakte e shifra konkrete, jo konkluzione spekulative mbi Shqipërinë bazuar në perceptime e analiza të përcipta, ju nuk do t’i gjeni në shumicën e pasqyrave politiko-mediatike të Shqipërisë, ku përkundrazi, fryhen me të madhe gjysmë të vërtetat, të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha dhe realiteti shqiptar pasqyrohet me njëanshmëri dashakeqe”.

“Po kjo kohë, kur Vladimir Putini synon të gjunjëzojë Perëndimin Demokratik, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria, duke e kthyer çmimin e energjisë në armë politike kundër Perëndimit dhe inflacionin e luftës në një virus sfilitës për shoqëritë e botës euroatlantike, po ekspozon për të gjithë ata që duan të shikojnë se deri ku mund të shkojnë, kundër interesave të vendit, qoftë opozita politike e Thesit të Rublave, qoftë kanalet e portalet që e mbajnë në kurriz atë thes”, shkruan Rama.