Nga Mero Baze/

Ilir Meta/Metaj nuk e mbajti dot ngarkesën e hapjes së dosjes. Edhe pse ditën e parë bëri sikur festonte, ditën e dytë sikur e kishte zënë pija, ditën e tretë nuk mbajti dot më. Njësoj si ata të marrët që ikin rrugëve e flasin me zë të lartë ato që mendojnë, ai shpërtheu në një krizë psikike, që reflekton problemet e personalitetit të tij në raport me të shkuarën.

Në horizont shikonte dy armiq. Edi Ramën dhe Lulzim Bashën dhe i përfytyronte të djegur, të vrarë e të copëtuar mbi një bunker. Është haluçinacion tipik i një njeriu që nuk mban dot më.

Po përse ata të dy?

Në fakt ka të drejtë. Ata të dy ja bënë. Mund t’ia bënte vetëm dhe Edi Rama, apo më vete dhe Lulzim Basha, por ja që bashkuan të dy votat për të hapur dosjet. Dhe ai nuk e përballoi dot këtë. Edhe pse bëri sikur do ta përballonte, nuk e mbajti dot më shumë se dy ditë.

Bashkimi i votave të Edi Ramës me Lulzim Bashën, e tremb atë jo vetëm pse i dha fund karrierës së tij politike, por se shënon dështimin e tij dhe Sali Berishës për të kompleksuar deputetet e opozitës, për të mos hapur dosjet meqë këtë e kërkonte dhe Edi Rama.

Duke qenë se kanë pasur disa herë sukses me kompleksimin e deputetëve opozitarë, ata menduan se do funksiononte përsëri. Nuk funksionoi dhe me sa duket Ilir Meta/Metaj ja njeh këtë të keqe si meritë Lulzim Bashës.

Shpërthimi i tij ishte ofshama e fundit e një një qenie të plagosur për vdekje politikisht. Ai ndjen se pak ditë më vonë, nuk dot jetë më asgjë. As kryetar partie, madje me këtë amendament që kanë propozuar, nëse Rama dhe Basha i përsërisin sërish 94 vota, nëse duhet mbrojtur me Kushtetutë. Dhe ai e ndjen këtë.

Ndaj të gjithë ata që mendojnë se ai e bën të trembë Ramën, apo Bashën, apo e bën që të fitojë pikë para zgjedhjeve, gabojnë.

Sa herë bën kështu para zgjedhjeve ai varros opozitën. Sa herë çmendet, vetëm sa shton pikë për shumicën. Sa herë kërcënon, vetëm sa bëhet më i pavotuar.

Ai i di të gjitha këto, por nuk i ka ngel gjë tjetër për të bërë në fund të karrierës së tij politike. U bë deputet, zëvendësministër, ministër, zëvendëskryeministër, kryeministër, kryetar kuvendi dhe president dhe normalisht mund të ikte i nderuar në shtëpi.

Por e kaluara nuk të lëshon aq lehtë. Dhe atë nuk e lëshoi. E mbajti peng aty dhe tani i duhet të ikë i turpëruar në shtëpi.

Dhe e vetmja gjë që i ka mbetur është t’i fusë një të ulëritur e t’i shajë me çfarë i përmban pragu gjithë ata që e mbuluan me turp në fund të jetës së tij politike.

Ndaj nuk është thjesht shpërthimi i një të çmenduri. Është dhe ofshama e fundit e një njeriu që shikon fundin e vet. Po e varrosin të gjallë dhe ai ndjen zhurmën e lopatës që ata kanë marrë në duar.