Edhe pse është e vështirë të gjesh një njeri të vetëm në planet që nuk di për ekzistencën e saj, janë të shumtë ata që ende nuk e dinë prejardhjen e Europës.
Historitë dhe teoritë pas emrit të kontinentit tonë të dashur janë të shumta.
Më poshtë janë disa prej tyre.
Si e mori emrin kontinenti i lashtë i Europës?Për ta zbuluar këtë, duhet të kthehemi tek origjina e panteonit të lashtë grek dhe historitë e mistershme mitologjike që gjenden aty. Më e rëndësishmja prej tyre, historia e Zeusit dhe e demit të bardhë.
Zeusi dhe demi i bardhë
Ashtu si me shumë gjëra të tjera në mitologjinë greke, historia e Europës fillon me Zeusin. Perëndia e perëndive ishte i njohur për arratisjet e tij në botën e të gjallëve, duke zbritur nga mali i Olimpit në ‘dimensionin e vdekshëm’. Ky ishte edhe një nga rastet kur ai pa vajzën e Agenorit, Mbretit të Fenikasve. Zeusit i bëri aq përshtypje bukuria e gruas, sa vendosi që të zbriste dhe ta joshte atë. Ndërsa zbriti nga Olimpi, ai u shndërrua në një dem të bardhë, një pamje e rrallë dhe e bukur që shumë grekë më vonë ia atribuonin ndikimit të perëndive.
Pasi Zeusi takoi vajzën e mbretit, ai e rrëmbeu atë duke e vënë mbi shpinë dhe u nis drejt ishullit të Kretës. Aty vajza, e cila quhej Europa, lindi tre djem të Zeusit. Minos (i cili më vonë do të bëhej mbreti i Kretës), Radamanti (i cili do të bëhej mbreti i ishujve të Cyclades) dhe Sarpedoni (i cili do të bëhej mbreti i Lycia-s). Pas kësaj, Zeusi do të largohej nga Europa duke e lënë atë mbrapsht në Kretë – vendi ku ajo u vendos dhe më vonë u martua me Asterius-in, mbretin e Kretës në atë kohë, i cili thuhet se mori nën kujdesin e tij djemtë e saj jetim. Evropa do të adhurohej nga banorët e ishullit duke bërë që emri i saj të përhapej anë e mbanë detit Egje. Eventualisht, emri i Evropës do të lidhej ngushtë me tokën, dhe disa rrëfime të Greqisë së Lashtë madje e përshkruanin Evropën si perëndeshën e tokës. Si i tillë, emri i saj u përdor gjerësisht për të përshkruar edhe atë që ne tani e njohim si Evropë.
Teori alternative
Shumë gjuhëtarë tregojnë teori të tjera rreth prejardhjes së emërtimit të Evropës. Disa prej tyre drejtohen gjithsesi nga Greqia e lashtë dhe parashtrojnë teorinë se emri Evropë vjen nga dy fjalë greke, εὐρύς (eurys), që do të thotë i gjerë dhe ὤψ (ops), që do të thotë ose fytyrë ose sy në varësi të përdorimit të tij.
Së bashku εὐρύςὤψ do të thotë ‘vështrim i gjerë’, një emër që shumë vetë e përdorën për shkak të përvojës detare greke në detin Mesdhe, të cilin ata e panë si të shtrirë aq gjerë sa mund të shihnin sytë.
Një tjetër teori tregon për qytetërimin e Mesopotamisë dhe gjuhën që ata mund të kenë përdorur si rrënjë për emrin. Në gjuhën e këtij qytetërimi, veçanërisht në gjuhën semite akadiane, fjala për ‘perëndimin e diellit’ ishte erebu dhe fjala për ‘lindjen e diellit’ ishte asu. Gjuhëtarët e përmendin këtë si prejardhjen e fjalës Evropë pasi Evropa ishte në perëndim të perandorisë së vjetër të Mesopotamisë, kështu që emri ‘erebu’ mund të jetë përdorur për ta përshkruar atë, ndërsa Azia që ishte në lindje të Mesopotamisë u quajt ‘asu’. Sot e kësaj dite, prejardhja e saktë e etimologjisë së Evropës ende debatohet nga shumë studiues pavarësisht se referenca nga mitologjia e lashtë greke është pranuar nga një shumicë e konsiderueshme. Madje, arketipi i ‘Europës së bukur por të përdhunuar për shkak të bukurisë së saj’, është përdorur shpesh nga analistë eurocentrikë por edhe kritikë të emigrimeve masive me të cilat po haset kontinenti ynë prej vitesh. Sidoqoftë, mbase do të duhet një zbulim i ri dhe revolucionar nga historianët më të mirë të kohës, i cili do të vendosë njëherë e përgjithmonë ‘pikat mbi i’ rreth prejardhjes së Europës tonë të bukur.