Në vend të qetësuesve, mund të konsumoni çokollatë për të shmangur dhimbjet nga menstruacionet. Sipas një studimi të publikuar në revistën European Journal of Integrative Medicine, konsumimi i çokollatës së zezë disa ditë para fillimit të menstruacioneve dhe gjatë ditës së parë mund të lehtësojë dhimbjet.
Rezultatet përkatëse, por më pak intensive, u vunë re edhe nga dëgjimi i muzikës. Sipas studiuesve, endorfinat e lëshuara nga trupi pas ngrënies së çokollatës dhe dëgjimit të muzikës kanë një efekt qetësues dhe anti-ankth dhe, ndoshta, mund të zëvendësojnë ilaçet qetësuese të dhimbjeve. Studimi përfshinte 64 studente femra të moshës 18-25 vjeç nga Universiteti Manisa Celal Bayar të cilat u ndanë rastësisht në tre grupe: një grup që konsumoi 40 gr çokollatë të zezë me kakao, tre ditë para dhe në ditën e parë të menstruacioneve, një grup i dytë dëgjoi një këngë instrumentale qetësuese 29-minutëshe.
Grupi i tretë nuk mori asnjë trajtim për simptomat e menstruacioneve. Rezultatet treguan se: Dhimbja mesatare u ul nga 6 nga 10 në 5 nga 10 në grupin e çokollatës dhe nga 7 nga 10 në 6 nga 10 në grupin e muzikës, ndërsa mbeti në 6 gjatë gjithë eksperimentit në grupin e kontrollit. Gjithashtu nivelet e ankthit u ulën me 18% në grupin e çokollatës, 13% në grupin e muzikës dhe asnjë në grupin e tretë. Studiuesit raportuan: “Si çokollata e zezë dhe muzika kishin një efekt të rëndësishëm në reduktimin e dhimbjes dhe shqetësimit menstrual tek gratë e reja.
Ato mund të përdoren në mënyrë të sigurt dhe efektive për të kontrolluar dhimbjen dhe stresin e menstruacioneve. Megjithatë, nevojiten kërkime të mëtejshme për të nxjerrë përfundime më të forta rreth efektit të tyre”, thuhet në studim.