Ndonëse nuk ka asnjë dyshim për pozitën e tij në krye të Partisë së Lirisë, Ilir Meta pritet t’u drejtohet sot delegatëve të Partisë së Lirisë në Konventën Kombëtare për të marrë votëbesimin. Konventa do të zhvillohet sot në orën 11:00 në Sallën e Konferencave pranë Katedrales Ortodokse.
Përmes votimit online, sot do të zgjidhen edhe anëtarët e Komitetit Drejtues Kombëtar të PL-së. Ndërsa mësohet se do të ketë edhe disa fjalime nga pjesëmarrësit. Në takim do të ketë vetëm delegatë me të drejtë vote të kësaj force politike.
Ndërkohë, përmes një postimi në “Twitter” me disa të rinj, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, la të kuptohet se forca e tij politike do ta ketë fokusin te të rinjtë.
“Nesër (sot) do të takohemi në Konventën Kombëtare Zgjedhore të Partisë së Lirisë në mënyrë që të diskutojmë dhe të marrim vendime të rëndësishme për Shqipërinë që u përket të rinjve”, shprehet Meta në videomesazhin me të rinjtë.
Ndërkohë, deputeti i PL-së, Petrit Vasili, gjatë një konference ditën e djeshme tha se zhvillimi i tyre partiak është i një rëndësie të veçantë nisur edhe për shkak të situatës politike.
“Konventa është e rëndësishme. Ndodh në një moment të rëndësishëm për PL-në që do e ridimensionojë misionin tonë. Liritë për të investuar në mënyrë private, liria që investimet të vijnë nga Shqipëri janë zhdukur për shkak të korrupsionit. Është një konventë e një rëndësie të jashtëzakonshme, pasi injekton një qasje të re dhe nuk masakrohen nga korrupsioni. Është një moment i rëndësishëm politik për aksionin tonë. Shqipëria për shkak të kësaj hajdutërie, është shpopulluar si kurrë më parë. Beteja jonë për të ndalur shpopullimin është themelore. Është një nga dimensionet e PL-së që ka ndërmarrë është ndalimi i shpopullimit të vendit. Konceptimi i shoqërisë do jetë inkurajim. Ka mundësi të begatohet shumë mirë, duke e qeverisur drejt. Është shumë e thjeshtë për ta bërë, vetëm duke respektuar ligjin. Përballë kemi një qeveri hajdute dhe kriminelësh”, u shpreh dje Vasili.
Ndërkohë, sa i takon marrëveshjes së aleancës me PD-në, ai u shpreh se shumë figura të spikatura do të garojnë nga forca e tij politike për zgjedhjet vendore.
“Është përcaktuar qartë në marrëveshje. Kandidatët do zgjidhen përmes primareve. Askush nuk është i privuar nga kandidimi. Edhe figura të spikatura të Partisë së Lirisë do të kenë mundësi të kandidojnë. Ka një gjë pozitive, që do zgjidhen nga një masë e madhe njerëzish. Primaret dhe referendum vendosin vendimmarrjen te njerëzit. Dalin nga zyrat e ngushta. Nuk kemi përcaktuar lista qytetesh. Figurat tona të spikatura, do të kenë mundësinë të kandidojnë ku të duan. Do të mbështesim kandidatët më të mirë. Do të fitojë ai që është më i miri”, u shpreh Vasili.