Presidenti Bajram Begaj do të mbledhë sot Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Mësohet se në fokus të mbledhjes do të jenë sulmet kibernetike nga Irani. Pjesë e mbledhjes së Këshilit të Sigurisë Kombëtare do të jetë edhe vetë kryeministri Edi Rama e ministrja e jashtme, Olta Xhaçka, ministri i Mbrojtjes Niko Pelesh si dhe ministri i Brendshëm Bledi Çuçi.
Dje është dorëzuar në Kongresin Amerikan rezoluta që dënon sulmet kibernerike të Iranit ndaj Shqipërisë. Kongresmenët amerikanë Ritchie Torres, Robert Aderholt, Jim Himes dhe Lisa Mc.Clain kanë dorëzuar rezolutën që kërkon vazhdimin e vendosjes para përgjegjësisë të Iranit që organizoi sulmet si edhe bën thirrje për forcimin e mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë.
Hakerat iranianë kanë marrë përsipër sulmet kibernetike që janë regjistruar në Shqipëri gjatë korrikut dhe në shtator. Ata kanë shpërndarë herë pas here material të Policisë së Shtetit, pamjet filmike të kamerave të sigurisë në pikat kufitare të vendit, përfshirë dhe aeroportin “Nënë Tereza”, duke i shpallur ‘luftë’ shtetit shqiptar. Vetëm një javë më parë qarkulloi një material me emra shqiptarësh e foto, mes tyre dhe të inkriminuar. Pavarësisht se Homeland Justice deklaroi se ishte kartoteka e MEMEX, Policia e Shtetit e mohoi një gjë të tillë.
Kryeministri Edi Rama njoftoi ndërprerjen “me efekt të menjëhershëm”, të marrëdhënieve diplomatike me Iranin, për shkak të këtij sulmi. Po atë ditë, Shtetet e Bashkuara dënuan sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë dhe dolën në përfundimin se pas tij qëndronte Irani.
Më 9 shtator, Shtetet e Bashkuara njoftuan për vendosjen e sanksioneve ndaj Ministrisë iraniane të Zbulimit dhe Sigurisë dhe ministrit të saj Esmail Khatibi për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre, përfshirë sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.