Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi mori pjesë në takimin dyditor të Ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s, që u mbajt në selinë e NATO-s në Bruksel.
Në fokus të diskutimeve të Ministrave të Mbrojtjes ishte rritja e kontributit për Ukrainën dhe forcimi i mbrojtjes së NATO-s, në situatën e krijuar nga agresioni rus në Ukrainë.Ministri Peleshi e vlerësoi mjaft të rëndësishëm këtë takim që siç tha ai, vjen në një moment tepër kritik për mbrojtjen dhe sigurinë e aleatëve dhe adresimin e ndihmës së vazhdueshme për Ukrainën. Ministri i Mbrojtjes falenderoi Aleancën dhe vendet partnere për gatishmërinë e treguar për të ndihmuar Shqipërinë pas sulmeve kibernetike të muajve të fundit.
Ai i siguroi vendet aleate se Shqipëria po bën përpjekje të vazhdueshme për ngritjen dhe forcimin e masave mbrojtëse ndaj infrastrukturës kritike dhe sigurisë kibernetike, në bashkëpunim edhe me vende e struktura të specializuara në këtë fushë.
Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-ve Lloyd Austin në fjalën e tij dënoi me forcë sulmin kibernetik ndaj shërbimeve online në vendin tonë dhe bëri thirrje për rritjen e vigjilencës dhe kapaciteteve mbrojtëse të vendeve të Aleancës dhe vendeve partnere në këtë fushë. Në këtë Ministerial Shqipëria theksoi mbështetjen e saj për projektin e Porto Romanos, si një nyje e rëndësishme detare edhe në funksion të NATO-s.
Ndërkaq, ministri Peleshi theksoi gjatë fjalës së tij edhe rëndësinë që Aleanca i jep rajonit të Ballkanit, duke shtuar se kjo vëmendje duhet të jetë më e shtuar edhe në apekte të tjera diplomatike dhe ekonomike, në interes të integrimit të rajonit edhe në organizma të ndryshme politike, ekonomike dhe ushtarake.Gjatë punimeve të këtij takimi, ministri Peleshi zhvilloi takime të ndryshme me homologët të vendeve të ndryshme, ku u diskutua për çështje në interes të rritjes dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.