Albanian Post/ Gjithçka ka qenë në favorin e Ramës sot.
Sikur të mos mjaftonte momenti, gjatësia, apo anglishtja e rrjedhshme, atij i kanë ardhur në ndihmë edhe referencat nga letërsia, faktet nga historia, qartësia nga parimi dhe pasioni nga mllefi.
Rama u duk global për nga tema, avokat për nga mbrojtja, shkrimtar për nga thurja, potent për nga pamja, inspirues për nga kauza, evropian për nga kërkesa.
Veç politikan nuk ishte.
“Imagjinoni sikur 10 vite më pas presidenti ukrainas Zelensky të arrestohej mbi bazën e një kështjelle akuzash shpifëse, imagjinatash dhe të paprovuara, të ndërtuara nga Federata Ruse dhe të kryera me teknikat e diplomacisë ndërkombëtare”.
Kështu e përmbledh Edi Rama para Këshillit të Evropës aferën gjyqësore që çoi presidentin e Kosovës Hashim Thaçi në burgun e Hagës dhe akuzën famëkeqe për trafikim organesh të ngritur nga ndaj krerëve të UÇK-së dhe Shqipërisë.
Rama kujtoi shumë qartë se akuzat e hedhura nga prokurorja Carla Dal Ponte nuk kanë arritur në asnjë provë konkrete për krimet e supozuara dhe në thelb e gjitha është bazuar në dëshmi dhe raporte të zyrtarëve rusë edhe serbë.
Për ata që nuk e dinë ka një histori të gjatë të bashkëpunimit të shtetit serb me atë që sot është e njohur si Gjykatë Speciale.
Zyrtarë serbë, si Milan Protiç dhe Vladimir Vukçeviç kanë pohuar publikisht se i kanë dorëzuar mijëra faqe materiale Dick Martyt.
Bashkëpunim që ka vazhduar edhe pasi filloi procesi i themelimit të Gjykatës Speciale.
Milovan Dreçun, tash shef i grupit parlamentar për Kosovën në Serbi, deklaronte publikisht me krenari se si i kanë dhënë dosje Prokurorisë së Gjykatës Speciale, kanë dërguar lista të burgjeve të pretenduara të UÇK-së, hierarkinë e UÇK-së, dhe madje kanë sugjeruar hetimet drejt “Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët”, që sot edhe është pika kryesore e aktakuzës.
Kryeministri shqiptar përsëriti angazhimin e tij për një politikë të integrimit dhe bashkëpunimit me vendet fqinje të Ballkanit, duke përfshirë edhe Serbinë (ai tha se shumë e akuzojnë atë në Shqipëri a Kosovë si spiun të Beogradit për shkak të marrëdhëniet e tij me presidentin serb Aleksandër Vuçiç) në perspektivën e anëtarësimit në BE, dhe i bëri thirrje Këshillit të Evropës të korrigjojë një gabim që prodhon padrejtësi.
“Ajo akuzë për trafik organesh, e bazuar në lajme të rreme”, tha Rama “përmbys realitetin historik: shkëmben viktimat me xhelatët, shndërron një Ushtri Çlirimtare në një bandë mafioze dhe i portretizon shqiptarët si një racë inferiore pa parime morale”.
Rama së fundi ftoi Këshillin të rivendoste të vërtetën dhe prestigjin e Gjykatës Evropiane duke njohur gabimin e saj dhe duke anuluar atë që ishte një dënim i diktuar nga politika dhe jo nga ligji.
Dhe Edi Rama ka shumë të drejtë në fjalimin e tij të guximshëm.
Që nga e drejta romake ka ekzistuar parimi juridik i habeas corpus i cili përcakton të drejtat e të akuzuarit dhe është vendosur në themel të gjithë jurisprudencës anglo-saksone dhe për rrjedhojë të një procesi të drejtë demokratik.
Gjithashtu, në nenin 6 të Kushtetutës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përcaktohet se “i akuzuari duhet të informohet, sa më shpejt të jetë e mundur, në një gjuhë që ai e kupton dhe në detaje, për natyrën dhe arsyet së formuluar kundër tij”.
Por, Gjykata Speciale s’është e tillë.
Nuk është një lojë e strukturuar.
Aty ndryshojnë rregullat vazhdimisht.
Afatet kohore janë veç sa për t’u mos u respektuar.
Një fushë studimi për kronoceptuesit, përveçse s’ka të bëjë me eksperiencën subjektive të individit, por me realitetin objektiv të një organizmi.
Për ta marrë shembull Procesin e Kafkës, siç bëri disa herë Rama, ky është një gjykim i vazhdueshëm që tenton ta bezdisë të gjykuarin aq shumë dhe aq gjatë, derisa ia obligon një nevojë të pakuptueshme për ta kërkuar fajtorin brenda vetës.
Thaçi dhe të tjerët janë të arrestuar, por s’e dinë saktë se për çfarë.
S’e di askush.
Personeli i speciales vazhdon të navigojë nëpër labirinte procedurale që as s’kuptohen nga kush e as s’bëjnë sens për kë.
Siç thuhet në kapitullin “Katedralja” të Kafkës, “procedura gradualisht bëhet vetë gjykimi”.
Të akuzuarit në Hagë kanë dy vjet atje. Gjykimi ende nuk ka filluar, me shumë gjasë as nuk është gati të fillojë.
Prokuroria, përveç atyre që akuzon, asgjë tjetër të qartë nuk ka – pse’ja s’është pyetje në rend dite aktualisht.
Vështirë të gjendet një tjetër situatë si kjo, ku absurdi merr kuptimin e vetë të krejtësishëm etimologjik – shurdhëri.
Situata është e shurdhër ndaj çfarëdo note që derivon nga logjika e shëndoshë.
Sa më shumë që tentohet të kuptohet infrastruktura mbi të cilën qëndron kjo gjykatë, aq më pak ajo bën kuptim.
Siç kujton kryeministri shqiptar, askush deri më tani nuk ka arritur të provojë krimin e trafikut të organeve te Thaçi.
Në fund të debatit përfaqësuesi i Zvicrës kritikoi Ramën se nuk e ka cituar raportin e gjyqtarit Dick Martin, raport i cili është në bazë të akuzave ndaj Thaçit dhe liderëve të UÇK-së.
Ai tha: “Mendoni që kjo është mënyra më e mirë për të bashkëpunuar. Ju folët për ngritjen e dhomave të specializuara të Kosovës. Këto janë procedura të pavarura. S’mund të ndërhyjmë në proceset gjyqësore. Ne kemi paraqitur një raport, nuk kemi bërë një hetim penal. Pse duhet të ndërhyjmë në procedura?”.
Por nuk bëhet fjalë për ndërhyrje procedurash, por për rregullsi procedurale. Neni 6 i së njëjtës kushtetutë të Gjykatës Evropiane përcakton se: “Faji i të akuzuarit nuk mund të provohet në bazë të deklaratave të atyre që, me zgjedhje të lirë, gjithmonë kanë shmangur vullnetarisht marrjen në pyetje nga i akuzuari ose mbrojtësi i tij”.
Dhe ndodh që Dick Marty gjithmonë ka refuzuar të dëshmojë dhe prej kohësh është nën mbrojtjen maksimale të policisë zvicerane për kërcënimet me vdekje të marra nga qarqet nacionaliste serbe.
Edhe një analizë e përciptë e bën të qartë se Rama ka të drejtë që flet për një proces politik dhe kërkon që të rikthehet rregullsia procedurale dhe e vërteta historike.
Është e vërtetë që fjalimi i kryeministrit shqiptar u prit ftohtë nga salla e gjyqit. Me sa duket as lufta në Ukrainë nuk mund të fshijë pasojat politike të lojërave në prapavijë mes Evropës dhe Rusisë.
Rama tregoi sot se imagjinata nuk mund t’i vij në ndihmë kujtesës sonë dhe të rindërtojë atë çka deputetet e KiE-s kishin harruar.
Sepse ajo qe ishte votuar do të jetonte gjithmonë pa përkujtimin e Rames se duhet vrarë, dhe të vdes si e tillë pa e ditur kush që ka jetuar.
Ajo çka mbetet nga fjalimi i Rames është historia e një të vërtete.
Ajo qe shkoi dhe vdiq është një imagjinatë e një rrëfimi qe kishte për qellim vrasjen e një lirie dhe akronimin e tri shkronjave – UÇK.
Me fjalimin e sotëm në KiE, Edi Rama, nga një situatë e padrejtësisë së përveçme, i ka bërë mbrojtjen më vigane të drejtës universale.
Fjala e tij ishte më shumë se shfaqje e padrejtësisë në një rast, por një ligjërim filozofie për drejtësinë dhe për vlerën evropiane të lirisë.
Ai ka çliruar kombet e vogla nga komplesi i inferioritetit, kur në foltoren e institucionit që njihet si tempull i kombeve evropiane, dëshmoi se vlerave u bëhet mburojë edhe nga qoshja e kontinentit.