Kombëtarja shqiptare nuk iu ndahet miqësoreve me vendet e Lindjes së Mesme. Duket si “kërkim për naftë” në kohën e rritjes së çmendur të çmimeve të karburaneteve kjo qasje e FSHF-së, e cila pas miqësores me Arabinë Sauditë në Abu Dabi (1-1), sot ka zyrtarizuar një tjetër test të tillë. Edhe kësaj radhe do të sfidojmë një finalist të Kupës së Botës, që fillon më 20 nëntor, pikërisht vendin organizator, Katarin.
Edhe ky është një vend sheikësh, naftëmbajtës, shumë i pasur, por me futboll të dorës së dytë. Nuk dihet nëse përfiton gjë kombëtarja jonë kuqezi financiarisht nga këto miqësore ekzotike, por të paktën shërbejnë më së miri në planin sportiv, për të provuar kandidatë të fanellës kuqezi nga Superiorja dhe ndonjë element tjetër nga jashtë, që nuk ka pasur hapësira deri tani në formacionin e trajnerit Edy Reja.
Për miqesdoren me Katarin dhe detajet përkatëse, faqja zyrtare e FSHF-së në intenet shkruan: Shqipëria do të luajë një miqësore të tretë në muajin nëntor përveç atyre ndaj Italisë (16 nëntor) dhe Armenisë (19 nëntor) të zyrtarizuara tashmë prej disa ditësh. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se Kombëtarja shqiptare do të përballet me Katarin në ndeshjen që do të luhet më datë 9 nëntor në Marbella të Spanjës e që do të nisë në ora 18:30.
Të dyja Federatat kanë arritur marrëveshjen për këtë miqësore dhe kanë zyrtarizuar akordin për atë që do të jetë përballja e tretë në histori mes dy vendeve. Dueli i parë mes Shqipërisë dhe Katarit është luajtur në maj të vitit 2012 dhe miqësorja e luajtur në Madrid përfundoi me fitoren 2-1 të kuqezinjve me gola të shënuar nga Elis Bakaj dhe Erion Bogdani.
Sfida e dytë ka qenë ajo e luajtur më 22 maj 2016 në Austri, një nga testet e fundit para pjesëmarrjes së Shqipërisë në finalet e Euro “Francë 2016”. Miqësorja u mbyll me fitoren 3-1 të përfaqësueses shqiptare me gola të realizuar nga Arlind Ajeti, Ermir Lenjani dhe Armando Sadikut.
Pjesa më e madhe e lojtarëve që do të grumbullohen për këtë ndeshje do të jenë nga kampionati shqiptar, ashtu siç ndodhi në miqësoren me Arabinë Saudite. Ky test do të jetë një jetët mundësi shumë e mirë për të testuar dhe për të parë në aksion elementët e spikatur të kampionatit shqiptar”.