FJALA E PLOTË E MINISTRES ELISA SPIROPALI NË KUVEND – 20 TETOR
Sapo foli varrmihësi i sistemit elektroenergjitik shqiptar. Përveçse nuk qeshim dot se është për të qarë, dua t’i rendis këtu disa fakte që janë të pakundërshtueshme mbi atë se çfarë ai personalisht dhe qeveria që ai ka drejtuar, i bëri sistemit elektroenergjitik shqiptar.
Nuk po e nis nga fillimi i viteve 90’ se atëherë ndoshta nuk dinin e nuk donin, por gjithë ajo stihi popullore, populiste mbi “energjia elektrike do jepet falas në periferi e kudo tjetër” rrënoi bazat komerciale dhe tregtare të sistemit elektroenergjitik shqiptar. Nuk po e nis aty. Po e nis atëherë kur e dinte se çfarë bënte. E mbani privatizimin politiko-korruptivo-folklorik të Operatorit të

Shpërndarjes së Energjisë Elektrike me tamtame të mëdha në 2010-ën. Ky operacion korruptiv që është dhe sot nën hetim nga SPAK për shkak të një raporti të një komisioni hetimor në këtë Kuvend, la plagë të rënda dhe ende të pashëruara në sistem.
Nuk dua t’i hyj fakteve, me ato të merret SPAK-u, për dorëzaninë, kush i kishte dalë për zot privatizimit e kush ishte sekser e ndërmjetës. Këto nuk më takojnë mua, por Prokurorisë. Fakti është që në 2012-ën dhe në fillim të 2013-ës, po ky kryeministër i bënte thirrje atëherë kompanisë ÇEZ, ju lutem na hapni dritat dhe na çlironi ujësjellësat. Sepse duke humbur sovranitetin në këtë sistem, kompania arriti deri aty sa fiku dhe dritat në ujësjellësat tanë. Këta jeni ju. Këtë fuqi dhe kontroll kishit ju mbi sistemin elektroenergjitik shqiptar në momentin që e dorëzuat për arsye që gjithë shqiptarët i dinë. Kalojmë tek e dyta, viti 2011-2013. U firmos projekti i kalimit të gazsjellësit të TAP. Qeveria juaj, për arsye të pakuptuara, vendosi për demontimin dhe shitjen për skrap të termocentralit të Fierit. Nuk dha arsye publike.
Edhe pse TAP-i kalonte tek këmbët, e shiti për skrap. Po të bësh llogarinë sot të asaj që do na sillte TEC-i i Fierit, llogaritë do ishin pak më ndryshe me importin dhe prodhimin vendas.

Po vijojmë me bëmat e tjera. Po zvogëlimin e portofolit publik të burimeve të prodhimit të energjisë elektrike ku shitët hidrocentralet më të rëndësishme që ishin pronë e KESH. TEC-in e Fierit e çuat për skrap, këto i shitët, Shkopetin, Ulëzin, dy Bistricat. Bistrica ishte dhe një lloj rregullatori në sistem se mund të depozitonte, por edhe atë e shitët se nuk merreshit ju me këto detaje. Ia dhatë kompanisë për të shlyer TVSH-në që i kishit borxh.
Po dhënia e ndërtimit të HEC-it Ashta 1 dhe Ashta 2, një privati, ju kujtohet kjo? Ishte planifikuar shumë herët që HEC-i i Vaut të Dejës në Kaskadën e Lumit Drin, poshtë tij planifikohej të ndërtohej HEC Bushat. Do ishte në pronësi të KESH-i. Por nuk mund të kishte KESH-i sovranitet, pronësi mbi to sepse duhet t’i jepni ju dhe t’i privatizonit siç bëtë. Ja ku e keni rezultatin. HEC-i që do ndërtohej, HEC Bushat, ishte për të optimizuar përdorimin e plot 3 miliardë metra kub ujë që mbledh dhe përpunon kaskada e liqeneve Fierzë, Koman dhe Vaut të Dejës. Qeveria juaj, ai që foli këtu pacipërisht sikur nuk ka lidhje me ato që kanë ndodhur në këtë vend, është ai që këto miliarda metër kub ujë dhe i fali. Ato vlerësohen sot në 8 muajt e parë të këtij viti, 26 mijë tonë naftë, e barazvlefshme.
Në 2012-ën, litari i mbetur jashtë. Ndërtimi dhe mosvënia në operim e TEC-it Vlorë. 130 milionë euro të shpenzuara dhe të hedhura në det. I hodhën në det, ‘jo gabim teknik, jo studim i ftohjes’. Nuk mbajtën përgjegjësi për këto milionë euro, po të ishin këto asetet sot të KESH-it, po të ishte ky TEC dhe ai i Fierit, nga llogaritë që bëhen nga ekspertët dhe jo nga ne, del që ne sot nuk do kishim nevojë për import, zero. Do mund t’i plotësonim nevojat tona. Pasi e rrënuat sistemin. Pasi na u desh nga 2013-a deri sot të konsolidojmë.
plotësisht sistemin tonë elektroenergjitik, me një punë të palodhur dhe të pashembullt të ministrisë dhe institucioneve të varësisë, ju na flisni për performancën e ministrisë, OSHEE-së dhe të tjerëve.
Vetëm një fakt do ju jap, humbjet në rrjetin elektrik të OSHEE-së kanë ardhur duke u reduktuar çdo vit të perëndisë. Kanë mbërritur në nivelin më të ulët historik. 9 mujori 2022, 19.9% është humbja. Nga 44.5% që ishte në 2013-ën. Përgjysmë, më shumë. Për herë të parë, në shtator 2022, kemi nivelin më të ulët të humbjeve 14.9% dhe zona si Tirana apo Fieri, në nivelin 10%.
Nga arkëtimet, 38 miliardë arkëtonit ju, 65.3 miliardë arkëtohen sot.Për të mos folur ndaj shërbimit ndaj qytetarëve, heqjen e faturave afrofe, zyrat që janë shtuar, trefishuar në gjithë territorin. Nuk rrihet sot në radhë për të paguar energjinë që ta kishin vënë aty pa qenë ti prezent. Sot ka zyra shërbimi për të qenë, e ka dixhitalizim që i ka ardhur në ndihmë qytetarëve.

Vijmë tek ajo që përmendni shpesh, jo kriza, jo po rrënoni qytetarët. Siç e bëtë në shtator 2021 kur ne paralajmëruam krizën në tregjet e energjisë si efekt i post-pandemisë, ju në kor dhe me gjithë ata që paguani nëpër portale dhe kanale thoshit: Ja për çfarë krize po flasin këta. Duan t’u hedhin hi syve të qytetarëve. Siç e bëtë atëherë me pandeminë, jo maska, po maska, jo ministria e shëndetësisë po e ekzagjeron. Ju i thoni dhe i ndryshoni sa herë për interesin tuaj dhe jo për interesin e përgjithshëm me të cilën nuk keni lidhje. Kur kriza u ul këmbëkryq në Europë, për shkak të luftës së njeriut më të urryer sot, Putinit dhe sulmet në Ukrainë u transferuan në sulme në qytetet e mëdha europiane dhe gjithë botën si shok krize, e krizë çmimesh e inflacion. Kur çmimet e energjisë u rritën deri në 50% në vendet e BE-së, familjet shqiptare dhe biznesi i vogël nuk e ndjeu rritjen e energjisë pasi ne vendosëm ta subvencionojmë dhe ta mbështesim. Jo pak, por 28 miliardë lekë të shpenzuara si mburojë për çmimin e energjisë elektrike. Sot që jemi në epokën e rrezikut, jo vetëm të luftës në Ukrainë, por pasojat që po ka në të gjithë botën, kërcënimin nuklear dhe ajo që po ndodh sot në çdo Parlament të vendeve të civilizuara dhe BE-së, sot kur inflacioni i luftës po prek çdo familje, ne ende kemi vendosur që çmimin e energjisë që ka shkuar nga 52 dhe 400 e 500 për megavat orë, ne kemi vendosur ta mbrojmë qytetarin, ta mbrojmë biznesin e vogël duke mos rritur çmimin e energjisë.

Atëherë çfarë keni ju dhe ç’gojë keni ju të flisni për këtë çështje. Për diversifikimin e burimeve, pse e pengoni hidrocentralin e Skavicës. Investim amerikan dhe që do jetë patjetër, hidrocentrali i katërt shtetëror dhe më i madhi në kaskadën e Drinit. Pse i pengoni TEC-in e Vlorës, portin e lundrueshëm në gjirin e Vlorës, pse flisni keq për investimet amerikane. Pse mundoheni t’i ngrini qytetarët në protestë, pse i përdorni ata si mish për top për këto investime që nuk do sigurojnë vetëm energjinë këtu. Por do jenë një garant për sigurinë. Porti i lundrueshëm i gazit të lëngshëm amerikan, këtu është një garanci më shumë që Shqipëria të kthehet në një faktor sigurie dhe stabiliteti, në rajon dhe Europë. Për këto nuk keni gojë të flisni dhe nuk mund të flisni. Sidomos ju që keni shumë mëkate për të larë për sistemin elektroenergjitik shqiptar dhe shumë mëkate korrupsioni që e kanë rrënuar këtë sistem.