Ky nuk është sezoni i Cristiano Ronaldos. E dëshmon ndeshja e tij e fundit, kundër Omonias qipriote në Europa League, apo shfaqja e tij kundër Spanjës në Natios League. Një nga arsyet kryesore të rënies së shifrave të tij është fakti që në skemat e trajnerit Erik Ten Hag ai shihet si zëvendësues.
Marrëdhënia mes trajnerit holandez, i cili sapo ka ardhur në Manchester United këtë verë, dhe yllit portugez nuk është më e mira. Gazetari i “Times”, Duncan Castles, një njeri i afërt me Jorge Mendes, menaxherin e Cristianos, shkruan në një shkrim të publikuar këtë të shtunë se numri 7 është “në mosmarrëveshje” me trajnerin holandez.
“Burime të brendshme thonë se Cristiano Ronaldo është shpesh në mosmarrëveshje me të. Ata flasin për një futbollist që ankohet për cilësinë dhe natyrën e stërvitjes”, ka thënë Castles. Portugezi nuk ndalet me kaq, ai mendon se skuadra “do të ishte më mirë të luante ndryshe”.
Ankesat e Cristianos janë të fokusuara në stilin e lojës së Ten Hag. Castles shton se qëndrimi i trajnerit të tij nuk i pëlqen as ish-madridistit: “Ai e konsideron trajnerin Ten Hag njeri kokëfortë dhe të fiksuar me stilin që i ka funksionuar tek Ajaxi”.
Duket se mes “yllit” portugez dhe teknikut holandez është luftë e hapur. Se cili do ta fitojë, kjo do të shihet në muajt në vazhdim.