Në stomakun e Lear Kurti, 32-vjeçarit që vdiq pasi u shoqërua, është gjetur qese kokainë me gjurmë kokaine. Lajmin e ka konfirmuar përveç ekspertizës, edhe Prokuroria e Tiranës, e cila ka njoftuar se ka nisur hetimet deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.
“Është administruar akti i ekspertimit kimik i kryer nga një grup prej 5 (pesë) ekspertësh, nga i cili ka rezultuar se në mbetjet e qeses së gjetura në stomakun e viktimës gjatë kryerjes së autopsisë, ka prani të lëndës narkotike kokainë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria thotë se hetimet do të zhvillohen për ‘veprime arbitrare’ nga ana e policisë dhe ‘mosdhënie ndihme’ nga stafi mjekësor i Spitalit të Traumës. Hetimi ka nisur mbi bazën e referimit nga ana e Drejtorisë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë (AMP).
Deri në këtë fazë të hetimit, janë administruar kartela mjekësore e Lear Kurtit, procesverbali i këqyrjes së kufomës, pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë që nga momenti i konstatimit dhe deri në dërgimin e tij për ndihmë mjekësore pranë Qendrës Spitalore Universitare e Traumës, janë pyetur në cilësinë e personave që tregojnë rrethana të hetimit shtetasit që kanë qenë prezent me viktimën dhe të gjithë punonjësit e policisë që kanë kryer veprime me shtetasin Lear Kurti.
“Në vijim të veprimeve të tjera, grupi hetimor, me qëllim evidentimin e të gjitha rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së shtetasit Lear Kurti, do të administrojë pamjet filmike të urgjencës në Qendrën Spitalore të Traumës, pyetjen e personelit infermiero/mjekësor që kanë pritur dhe janë marrë me trajtimin e shtetasit Lear Kurti si dhe çdo veprim tjetër për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje”, ka njoftuar Prokuroria.