Në prezantimin e projekteve për Tirana Multifunctional Center, kryebashkiaku Erion Veliaj foli edhe për situatën e ndërtimeve pa leje, të cilave tha se u është dhënë më në fund zgjidhja me vendimin e qeverisë. Veliaj tha se nga 300 mijë ndërtesa gjithsej që janë në Tiranë, ato pa leje numërohen me gishtat e dorës.
 
“Në Tiranë ka 300 mijë ndërtesa. Rastet problematike numërohen me gishtat e dorës. Prandaj, me Kryeministrin kemi bërë një diskutim si do ta zgjidhim këtë anomali. E para, si të rakordojmë edhe lejet e bashkisë, edhe lejet e KKT-së. E dyta, si do të ndryshojmë periodën e kontrollit; pra, nëse perioda e kontrollit ka qenë e tillë: në fillim themelet, kati zero, karabinaja dhe pastaj përfundimi, ndoshta perioda duhet të jetë me ditë dhe jo me nivelin progresiv të veprës. Nëse ligji ka një parashikim për sekuestron e atyre që shkelin ligjin, që janë me gishtat e dorës në një Tiranë me 300 mijë ndërtesa, si do të përkthehet kjo? E merr Enti i Banesave, e merr Bashkia apo e merr qeveria? Kemi sot më në fund një akt i cili sqaron se për ato pak anomali, në një qytet me 300 mijë godina, ne ta zgjidhim njëherë e përgjithmonë se çfarë ndodh dhe si adresohet anomalia në kushtet kur në katin 24 apo të 25 është e pamundur prishja ose le të themi, rikthimi në situatën origjinale të një shkelje, apo të një anomalie,” u shpreh kryebashkiaku.
 
Sipas Veliajt, ajo pjesë e opozitës që shpreson në një konflikt mes tij dhe kryeministrit Rama janë vulëhumbur.
 
“Kush mendon se i vetmi shans që ata [opozita] të fitojnë ndonjëherë në këtë qytet ose në këtë vend është që unë dhe Edi Rama të kemi konflikt, do ju bëhen gjunjët me kallo duke u lutur për diçka që s’ka për të ndodhur kurrë. S’ka asnjë arsye që, në momentin që këtij qyteti dhe këtij vendi punët po i shkojnë mirë – jo perfekt, ka shumë gjëra që ne duhet t’i bëjmë më mirë – por nëse janë vetëm në këtë shpresë, do të thotë se janë komplet vulëhumbur,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.