Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim Jacek Sutryk, kryetarin e Bashkisë së Wrocław, një nga qytetet më të rëndësishme në Poloni, me të cilin diskutoi për të rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve, tani që Tirana mban titullin “Kryeqyteti Evropian i Rinisë”, si dhe për vitin e ardhshëm, ku synon titullin “Qyteti Evropian i Sporteve”.
“Wrocław është një qytet me eksperiencë të jashtëzakonshme sepse ka qenë kryeqyteti Europian i Kulturës, po ashtu edhe një nga qytetet kryesore që ka promovuar sportin. Për Tiranën, që këtë vit është Kryeqyteti Evropian i Rinisë, dhe vitin tjetër synon të jetë Qyteti Evropian i Sporteve, është një mënyrë e mirë për të marrë eksperiencë. Teksa shikojmë rritjen e numrit të turistëve dhe investitorëve nga Polonia, që përfshihen në aktivitete kulturore dhe sportive, do të thotë se kemi një marrëdhënie shumë të veçantë, që duhet ta kultivojmë”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku ftoi delegacionin nga Polonia që të rikthehen në kryeqytetin shqiptar për të qenë pjesë e Maratonës së Tiranës, e cila do të zhvillohet më 23 Tetor, e ku do ketë pjesëmarrës nga e gjithë Europa.
“Mezi pres të riktheheni këtu për Maratonën e Tiranës, ku do të kemi vrapues jo vetëm nga Shqipëria, por nga e gjithë Europa, në një nga manifestimet sportive më të bukura të Tiranës. Shpresoj shumë që raportet mes nesh, tani që kemi edhe një fluturim direkt mes dy qyteteve tona, t’i kultivojmë, sidomos për të rinjtë. Është shumë mirë që gjenerata jonë ka nostalgji nga kohët kur Shqipëria dhe Polonia kishin një raport special me njëri-tjetrin, por ka ardhur koha që këtë raport special, t’ua transferojmë edhe të rinjve tanë, që edhe ata të kenë mundësi të njohin njëri-tjetrin dhe pastaj të jenë aleatë përjetë”, nënvizoi kreu i Bashkisë.
Kryetari i Bashkisë së Wrocław, Jacek Sutryk tha: “Jam shumë i lumtur për këtë mikpritje dhe që sot nisim një bashkëpunim shumë të rëndësishëm midis Tiranës dhe Wrocław. Wrocław është një qytet tejet i hapur, miqësor dhe në vitin 2016 ne ishim Kryeqyteti Evropian i Kulturës.”