Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti një grup përfaqësues të parlamentit belg, të kryesuar nga Presidenti i Grupit të Miqësisë Shqiptaro-Belge, Egbert Lachaert, të cilit i dhuroi në shenjë mirënjohje “Kullën e Sahatit”. Veliaj tha se Belgjika është një nga avokatet e Shqipërisë për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Europian.

“Belgjika është një nga avokatet e Shqipërisë, me të cilën kemi edhe një rastësi shumë të bukur: Pas Tiranës, vitin tjetër, Kryeqyteti Europian i Rinisë do të jetë qyteti belg i Ghent. Është një mundësi fantastike që, shumë prej atyre punëve dhe përvojave që kemi mësuar nga ky vit i jashtëzakonshëm me një mijë aktivitete, të kemi mundësi t’i transferojmë edhe te miqtë tanë belgë”, u shpreh Veliaj. Kryebashkiaku tha se sfidat i bashkojnë vendet dhe theksoi se, teksa Shqipëria ecën me hapa të shpejtë drejt integrimit në Bashkimin Europian, do ketë më shumë gjëra që e bashkojnë me Belgjikën apo shtete të tjera europiane.

“Kur njohim njëri-tjetrin, shumë nga legjendat urbane rrëzohen, sepse kemi një kontakt personal, për të parë çfarë sfidash kemi dhe sa më shumë bisedojmë, kuptojmë se sfidat i kemi të përbashkëta. Pandemia ishte një sfidë e përbashkët, si për Belgjikën, edhe për Shqipërinë. Ne patëm një histori të tmerrshme me tërmetin, po kur i shikon sesi shumë prej këtyre fatkeqësive mund të kthehen në mundësi, ne mund të projektojmë qytete më funksionale, të mësojmë më shumë nga njëri-tjetri, atëherë kuptojmë se ka më shumë gjëra që na bashkojnë, sesa na ndajnë”, tha Veliaj. Presidenti i Grupit të Miqësisë Shqiptaro-Belge, Egbert Lachaert rikujtoi vizitën e tij të fundit në Tiranë, duke thënë se sot, falë vizionit të kryebashkiakut Veliaj, e gjen kryeqytetin shqiptar krejt të transformuar.

“Dua t’ju përgëzoj për zhvillimin fantastik që ka bërë Tirana si qytet sepse e kam vizituar 8 vite më parë, kur nuk ishte kështu si tani. Politikat progresive tregojnë se ju keni vizionin e duhur për të ardhmen e këtij qyteti, duke e çuar në drejtimin e duhur. Unë jetoj pranë qytetit Ghent, të cilin e përmendët në fjalën tuaj – është një qytet progresiv, që ka ndryshuar shumë. Është po ashtu një qytet i ri me shumë studentë. Janë disa gjëra që mund të mësojmë nga njëri-tjetri. Besoj se viti si Kryeqyteti Europian i Rinisë do të jetë pozitiv edhe për Ghent-in. Urime”, tha Lachaert.