Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar ditën e sotme se demokratët në të gjithë vendin duhet të shumëfishojnë përpjekjet për të përmbushur misionin jetik në këtë kohë kritike për vendin.

Ai u shpreh se mandati i tretë i qeverisë që sipas tij kalon nga skandali në skandal është edhe përgjegjësi e demokratëve.

“Gjirokastra me trashëgiminë e saj dhe atë që kanë krijuar të parët tuaj qëndron në kurorën e trashëgimive kulturore të botës dhe në këtë kontekst mbeten gjithnjë frymëzues veprat, krijimet e paraardhësve tuaj. PD është parti e traditës. Dhe ne respektojmë shumë traditën tonë më të mirë.

Sot unë jam këtu për të dëgjuar zërin tuaj dhe për të diskutuar me ju dhe për të kërkuar nga ju dhe mbarë demokratët dhe demokratet e këtij qyteti, nga PD një shumëfishim të përpjekjeve tona për të përmbushur misionin e rëndësishëm, jetik që ne kemi sot si demokratë dhe demokrate.

Mision në një kohë kritike. Duhet të jemi të vetëdijshëm se fakti që ne ndodhemi në mandatin e tretë të një qeverie që kalon nga skandali në skandal, në një mënyrë apo një tjetër na bën përgjegjës edhe ne.

Vë çdo demokrat para një përgjegjësie të madhe kombëtare. Ndaj dhe apeli kushtrim i i thellë i yni sot është të bëjmë gjithçka si forcë politike për ndryshim, realizëm që në çdo akt tonin të jemi të vërtetë. Edi Ramës duhet t’ia kishim prerë me kohë biletën”, deklaroi Berisha.