KPA-ja ka vulosur vendimin e KPK-së për shkarkimin nga detyra si gjyqtare të Fatmira Hajdarit për pasuri të pajustifikuar prej 52 milionë lekësh si dhe mosdeklarimin e heqjes së dy vizave amerikane.
Hajdari, ankimoi vendimin e dhënë nga KPK-ja dy vite më parë, por megjithatë nuk ka gjetur mbështetje te KPA-ja, e cila e ka refuzuar anikimimin e saj.
Në seancën dëgjimore të 15 qershorit, Hajdari u përball me një sërë pyetjesh mbi transaksionet me prona, me ndërtimin e një pallati 10 katësh pa leje dhe një bilanc negativ që shkon më shumë se 52 milionë lekë, sipas analizës financiare për të ardhurat dhe shpenzimet të bërë nga Komisioni.
KPK gjeti gjithashtu një sërë pasurish të padeklaruara asnjëherë nga Hajdari, përfshi një ullishte dhe disa transaksione të djalit në aksione kompanish që i ishin dhuruar pa kundërshpërblim.
Ish gjyqtarja nuk kaloi as testin e pastërtisë së figurës. Sipas KPK-së dhe Drejtorisë për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar, ajo ka fshehur faktin që Ambasada Amerikane i ka hequr vizën për të udhëtuar drejt SHBA.
Kujtojmë se Fatmira Hajdari është e veja e Azem Hajdarit, njërit prej drejtuesve të lëvizjes studentore të viteve 90’ kundër diktaturës dhe mamaja e Rudina Hajdarit.