Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE) zhvilloi sot takimin e radhës mbi prezantimin e raportit vjetor të Komisionit Europian për Shqipërinë (2022). Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka foli në lidhje me hapat për ndjekjen e rekomandimeve të këtij raporti.
Xhaçka u shpreh se, “raporti i KE njeh punën e madhe që është bërë dhe konfirmon progresin e Shqipërisë”. “Shqipëria ka vazhduar të përmbushë të gjitha kushtet e përcaktuara në Konkluzionet e Këshillit të Marsit 2020. Vendi ka arritur progres të dukshëm në miratimin e acquis të BE-së në vitet e fundit”, theksoi Xhaçka.
Sa i përket funksionimit të gjyqësorit, Xhaçka tha se, “Shqipëria ka kaluar edhe vendet e rajonit që kanë gati një dekadë që negociojnë.
“Reforma gjithëpërfshirëse e drejtësisë ka rezultuar në progres të përgjithshëm të mirë”, nënvizoi Xhaçka.
Sa i përket reformës së administratës publike, Xhaçka u shpreh se, “Shqipëria rezulton me një nivel të moderuar përgatitjeje”. Lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Xhaçka shtoi se, “Shqipëria ka bërë përgatitje të cilat kanë dhënë disa rezultate”. Për të drejtat themelore të njeriut, Xhaçka tha se, “kemi përmbushur standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së tyre”.
Sa i përket kriterit ekonomik, ministrja Xhaçka u shpreh se, “vendi ka bërë progres të mirë dhe është mesatarisht i përgatitur për të zhvilluar një ekonomi tregu funksionale”.
Lidhur me prokurimet publike, Xhaçka theksoi se, “vendi ka bërë përparime duke miratuar legjislacionin zbatues”. “Rekomandimet e KE do të mbeten në fokus të punës së qeverisë e të administratës. Ecuria jonë në këtë grup kapitujsh, na jep mundësinë të ulemi më shpejt në Konferencën Ndërqeveritare hapëse të këtij grupimi”, tha Xhaçka.
“Në raport Shqipëria vlerësohet si një partnere aktive dhe e besueshme e BE. Jemi vlerësuar për përkushtimin e treguar në krijimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit proaktiv rajonal”, u shpreh Xhaçka.
“Raporti i KE nuk është një fletë lavdërimi, përcakton shinat mbi të cilat do të ecë puna jonë drejt integrimit. Uniteti në nivel kombëtar duhet të ruhet për suksesin e procesit sot dhe nesër”, nënvizoi Xhaçka. Xhaçka u shpreh se, “detyrimi ynë i përbashkët është ta bëjmë realitet sa më shpejt anëtarësimin tonë në BE”.