Një imazh i ri i fotografuar nga teleskopi James Webb tregon unaza të shtëllungave të pluhurit të formuara nga ndërveprimet e forta midis yjeve. Fotoja është pjesë e një kërkimi që zbulon se si rrezatimi i fortë i yjeve mund të shtyjë materien në hapësirë duke u përqendruar në një sistem me dy yje 5000 vite dritë larg Tokës, në yjësinë Cygnus.

Ky sistem përbëhet nga një yll Wolf-Rayet dhe një yll supergjigand blu që rrotullohen rreth njëri-tjetrit në një orbitë që nevojiten 8 vjet për t’u plotësuar. Ylli blu i përket llojit O, një nga më të mëdhenjtë që njihen. Vetëm disa yje gjigandë mund të shndërrohen në një Wolf-Rayet teksa i afrohen fundit të ciklit të tyre. Kjo fazë zgjat disa qindra mijëra vjet.

Të gjitha yjet prodhojnë erën e tyre yjore, por yjet Wolf-Rayet kanë erëra të ngjashme me një uragan yjor. Këta yje e humbin shtresën e hidrogjenit, i cili nuk formon pluhur, por elemente të tjera në brendësi të yllit, si karboni, munden.Karboni kondensohet në një pluhur të zi në erën që fryn shpejt dhe ndriçon kur shihet me rreze infra të kuqe me një teleskop ku dallohet kjo dritë e ngrohtë. Shtëllungat e pluhurit krijohen pikërisht në vendin ku erërat yjore të sistemit përplasen dhe formojnë një lloj trajte konike.

Kjo formë konike zhvendoset dhe bën që shtëllunga e pluhurit të kthehet në një spirale. Orbita, e cila ka formë eliptike krijon vonesa në formimin e pluhurit dhe ky i fundit ngjason me unaza ose guaska. Rezultati final i gjithë kësaj ngjason me një rrjetë merimange.