Disa biseda të fundit telefonike të Ervis Martinajt tashmë janë në dorë të antikrimit, dhe besohet se ato kanë afruar prova të qarta mbi fatin e shumëkërkuarit. Gjurmët e tij jo vetëm fizike por edhe verbale, duket se u zbuluan gjatë kontrolleve të policisë brenda territorit, në ato që njihen si bazat e miqve të tij, por edhe në zonat e kundërshtarëve e tij.

Në aksionet më të fundit të RENEA në Tiranë, Shijak, Durrës dhe Vlorë u sekuestruan celularë, përmes të cilëve janë siguruar elementë të rinj mbi çështjen ndaj 40-vjecarit Martinaj, 2 muaj i zhdukur. Jo rastësisht, u shoqërua edhe një prej rivalëve e tij, Endrit Dokle, i cili po lëvizte në një makinë me Fatjon Muratin, në kërkim policor në korrik 2022, dhe me kunatin e tij Gentjan Reçin, djali i ish-policit të vrarë në Kurbin Xhelal Reçi. Dokle në shoqërinë e një personi në kërkim u mbajt vetëm disa orë në policinë e Tiranës, e cila nuk dha asnjë shpjegim për këtë fakt.

Një burim i tha Report Tv që antikrimi bën lëvizjet e tij për llogari të hetimeve për Martinajn. Konflikti më i fundit mes të dyve ishte pas deklarimeve të Nuredin Dumanit se Martinaj dha porosi të vriste Doklen për një shifër të çmendur, 500 mijë euro, 100 mijë prej të cilave i mori si paradhënie, por që krimi nuk u krye dot. Dokle para së të shoqërohej në polici të shtunën e 8 tetorit, disa ditë më parë ishte pyetur për vrasjen e trefishtë në Fushë-Krujë, ku viktima ishin kushëriri i Ervis Martinajt, Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha. Dokle e përjashtoi veten e tij nga përgjegjësia për ngjarjen.

Bashkë me të, po për këtë masakër u kërkuan për t’u marrë në pyetje edhe Fatjon Murati e Gentjan Reçi, të dy miqtë e tij. Por vetëm një javë para se tu ndalonin nga policia e Tiranës në shoqërinë e Dokles dhe familjes së tij, Reçi dhe Murati ishin paraqitur vullnetarisht në Komisariatin e Fushë-Krujës. Pas deklarimeve mohuese për vrasjen e trefishtë ata u lanë të lirë. Praktikisht, Fatjon Murati, në kërkim Tirana për arsenalin e gjetur në makinën e Kristian Gjinit në 13 korrik, shkoi vetë në duart e policisë fqinje që sipas drejtuesve të saj nuk ishte në dijeni që ai ishte në kërkim policor nga Tirana.

32-vjeçari do të qëndrojë në burg pa afat, pavarësisht pretendimeve të tij se nuk ka asnjë lidhje me armët. Policia gjeti gjurmë të gishtave të tij në njërën prej kutive të sekuestruara ku Gjini mbante armët në makinë.